“Pasi torturonte ndonjë, shkonte te banakierja bionde e hotelit dhe…” - Historia e rrallë e hetuesit që i çoi telegram Enver Hoxhës

Dokumentare

“Pasi torturonte ndonjë, shkonte te banakierja bionde e hotelit dhe…” - Historia e rrallë e hetuesit që i çoi telegram Enver Hoxhës

Nga: Përparim Hysi Më: 18 qershor 2024 Në ora: 07:48
Foto ilustrim

Durim F., u bë si me krahë kur mori lajmin se do të vazhdonte shkollën e sigurimit në Tiranë. Qe bir oficeri dhe, sado që i ati kish vdekur, biografia e ndiqte nga pas. Të lidhur si mishi me kockën me partinë, Durim F., tanimë bënte hesapet se ku mund të përfundonte: e mendonte veten, tek përkëdhelej në brendësi, me ndonjë ambasadë ose deri në një të zgjedhur të  hetuesisë së lartë, se hetues kish qenë dhe i ndjeri, i ati, Hysen F. Kjo përsiatje e tij merrte,veç tjerash,krahë dhe nga një fakt tjetër:qe nga e njëjta krahinë me kryeministrin, Mehmet Shehu dhe kaq nuk qe pak. Po t’i shtoje mandej dhe faktin tjetër, se i ati, Hyseni, kish qenë në një brigadë me atë që tanimë qe kryeministër, për të riun, Durim F., nuk kish derë që nuk hapej.

Atje, në shkollë, u thanë se kjo që përgatiste këto kuadro besnike, të pajiste me një diplomë që barazohej me atë të Juridikut, kështu që çdo një i tillë nga këta, hiqej ose njihej si jurist. Ç’shkruaj, nuk është se shkruaj apriori apo kështu dua unë.

Po qe një e vërtetë që nuk e luan topi: kushdo nga këta “besnikë”, kur binte nga kali, për një arsye apo për një tjetër, tak dhe fillonin, si pa të keq, dhe jepnin mësimin e filozofisë nëpër shkolla të mesme, se “kishin mbaruar juridikun”. Ja, kështu!

Durim F., e mbaroi shkollën dhe, ndërsa priste ndonjë bum emërimi (epo për ato të shkreta ambasada, i qante syri), tak dhe emëruan hetues në një qytet në Jug të vendit. Nga Jugu qe dhe vet ky, po jo në qytetin e tij, po diku, larg. Hetues dhe zuri e kapardisej, se laj-thaj ky qytet, dy të tillë kish. Njëri qe shefi, një skile e vjetër që kish shkulur dhe me darë kuajsh “dhëmbët e kundërshtarëve politikë” dhe tjetri: epo kush tjetër?

Veç Durim F., që pozonte dhe demonstronte forcë dhe impozancë, se kot nuk qe hetues. I lidhur me Çlirimtaren, bir hetuesi dhe, veç këtyre, qe nga ai çik vend: nga vend-lindja e kryeministrit. Është gjenetike – thonë – që të gjithë të ardhurit nga provincat e thella, siç vinte dhe Durim F., kur vijnë në qytet, tjetërsohen dhe bëhen qesharak, se duan që të flakin atë lëkurën e vjetër që kanë veshur.

Kjo tentativë, zakonisht, është e njerëzve mediokër që, pa e kuptuar, bëhen qesharakë dhe pak Don Kishotë. Kështu ndodhi dhe me Durim F. Vishej me rrobat që i kishin dhënë (qenë modele që njerëzve u ngjallnin krupën); kurrë nuk e hiqte kollaren dhe kur bënte nxehtë, sado që gojët e liga thoshin që nuk dinte ta lidhte, dhe, veç kësaj, ecte me çap të rëndë, pothuajse, vetëm dhe me sy-zakoni i qenit të gjahut – përshkonte gjithë shëtitoren.

Se, siç mendonte, një hetues i tillë duhet të jetë: i paafrueshëm; i ftohtë mermer dhe, kur të flas, ta ngrejë zërin gati një oktavë mbi tjetrin, për të thënë që ai është larg, shumë larg nga çdo i gjallë tjetër. Se lufton “armiqtë e partisë dhe të popullit”.

Dhe Durim F., e dinte mirë këtë punë sidomos atje në birucat e Degës së Brendshme. Aq qe i dhënë pas këtij “zanati”, sa nuk flinte dot rehat, në se nuk kish torturuar si duhet ata “armiqtë”.

Dhe, ky sy vigjilent i Partisë, tek secili shikonte një armik të mundshëm. Dhe kur ky “armiku i mundshëm”, binte në dorë të tij, e dinte vet ky se si ia përdridhte zverkun. Mandej, pas gjithë atyre torturave të paimagjinueshme, frymën e mbante drejt e tek turizmi i qytetit, ku çlodhej, veç tjerash, dhe me banakieren bionde të atij qyteti. Se kot nuk qe hetues, Durim F.

Sakaq dhe me “punën e madhe dhe të fshehtë të partisë”, u zbulua që në jug, në një kooperativë bujqësore, që nga kryetari e deri poshtë, qenkan “shitur” andej matan: në Greqi. Dhe gjithë grupi, en bloc, u arrestua.

Qe pak si tronditës lajmi për”zbulimin” e këtij grupi, se grupi en bloc, qe i njohur, veç tjerash, si një grup këngëtarësh popullorë në zë. Durim F., mënd kaloi në një si “orgazëm” nga kënaqësia. Se do merrej me një grup agjenturor dhe ai, përkëdhelej në sedër, s’e fal torturave dhe “zbardhjes së vërtetës”, çonte “trampolinën” e ngritjes së tij në përgjegjësi.

Dhe filloi nga ato “avazet” që i kishin mësuar në shkollë. Hetuesia, këtë radhë, për “kapon e grupit”, që qe dora vet, ish-kryetari i kooperativës, bëhej me dy veta: një që “ekzekutonte veprimet sipas drejtësisë, alla komunistçe”, dhe tjetri, për t’u bërë sa më “reale” hetuesia, kish ardhur si ndihmës, nga një rreth tjetër.

Ky tjetri, – epo shkollë me të futur qe ajo e Sigurimit, – shikonte mundësinë e ngritjes së vet në përgjegjësi dhe hiqej më prudent, në zbatimin e ligjit. E paska pasur ligji me të shkruar, që nuk duhej përdorur torturë ndaj të pandehurit.

Durim F., u lëshua me sa fuqi kish me shuplaka mbi fatkeqin. Ky “ndihmësi”, veç shikonte dhe, kur Durimi u “lodh”, dhe shkoi drejt e në turizëm për “relaks”, “ndihmësi” i thotë të pandehurit: – “Ankohu që të qëlloi me shuplaka, se dalë dëshmitar unë.

I pandehuri kështu bëri dhe në ballafaqim, “ndihmësi” që e shikonte Durimin si hije, i vuri stërkëmbëshin. Që të nesërmen, Durim F., në vend të shkonte në ambasadë, u zhvesh nga hetues (“ndihmësi” zuri menjëherë vendin) dhe mbërriti në qytetin tonë. Aty dhe e njoha se e caktuan të jepte filozofi në një nga shkollat tona të mesme. Këtë ç’tregova më lart, e kam nga goja e tij.

Jepte filozofi, por mëndja i punonte për tutje: atje tek ndonjë vend ku të relaksohej dhe i qe bërë fiksim: Kuba. Se Kuba, aso kohe qe vend mik dhe, veç kësaj, ky qejfli i krisur dhe sadist, pluskonte në ujëra të kripura. Nga përgatitja si mësues, qe bosh. Hiq psalltjet “made in Enver”, slogane të mësuara përmendësh dhe, ende, mbahej me atë kohën e hetuesisë.

Shoqërinë me ata “gritë” nuk e shkëpuste dhe, kur mori vesh që njëri prej tyre, sosi deri në Paris, mënd i iku truri dhe u bë tejet nervoz. Ku ai dhe ku unë. Pse, – ndërhyra unë, – po ai kish të bënte me sh. Hysni (Kapo). Po unë a nuk kam të bëj me sh. Mehmet? Bile dhe ime shoqe, atje është rritur, tek Shehët. Po ma bëri ai, lugati, mua që më hëngri në besë. Dhe për kë? Për një armik?!

Termometri politik në Shqipëri, sakaq po ngrihej. Veç armiqve të jashtëm (revizionistët dhe imperialistët, tani dhe tribotistët kinezë), po shtohej rreziku nga brenda. Qe “zbuluar” Grupi i Beqir Ballukut e Co… dhe tani, kudo, po zbuloheshin “armiq. “Po vjen shansi tek dera’, – më tha Durim F. – Ke për të parë kur t’më thërresin.

Se duhen ‘specialistë’ për të zbërthyer ‘armiq’ që kanë punuar nën ‘lëkurë’”. Kur, një ditë prej ditësh, sapo u dha lajmi se qe “vetëvrarë” vet kryeministri, Mehmet Shehu! Durim F., kish ndryshuar çehre, qe bërë, pothuaj, dyllë i verdhë dhe lotët nuk i mbajti. “Qeshë në postë, – më tha, – dhe i bëra telegram vet shokut Enver. E ngushëllova për ‘humbjen’ e shokut të ngushtë të armëve”.

Se i letrave që jam, më tregoi dhe tekstin. Dhe sot nuk e harroi atë tekst, që, sa të bën të qeshësh, aq dhe më donkishotesk e bën ish hetuesin, Durim F. Për ta bërë pak më të prekshëm për lexuesin, po e sjellë atë siç e kam në kujtesë:

“… si të gjithë, jam i tronditur nga ‘fatkeqësia që ju ka rënë mbi kokë,juve dhe partisë’, në pamundësi që të jem pranë jush në këtë moment, ju lutem putheni për mua kufomën”.

Durim  F.       

19 dhjetor, 1981

Sado hetues që qe, mendoj se ai qe aq i tronditur, sa nuk mund të vinte re, një si pështirosjen time në këtë tekst, kaq bufonat. Sidoqoftë, bubullimat do ndjeheshin më pas. Teksti, padyshim, s’kish se si mos vihej re, sa kaloi ajo “tronditja” që pati sh. Enver nga “humbja” e “shokut të ngushtë të armëve” dhe si kompensim për këtë ngushëllim donkishotesk, erdh dhe “dogana”.

Durim F., duhet të linte vendin e punës, por duhej pak “delikatesë”. Dhe “delikatesa” u fabrikua me aq “finesë”, sa bënte mu. Tek ishin mbledhur për të hyrë në klasë nxënësit e shkollës dhe ndërsa mësuesit qenë në krye, tak dhe dikush çan përmes nxënësve dhe para gjithë shkollës, ia fut me pëllëmbë Durim F.

Figura e mësuesit qe cënuar. Ai nuk mund të jepte mësim aty dhe, tek priste transferimin në një shkollë tjetër, e çuan magazinier në një fermë. Pastaj, me të parë e me të bërë. Por një gjë qe e sigurt: Durim F., jo vetëm nuk shkoi në ambasadë, po katandisi punëtor. Veç kur erdh demokracia, u kthye dhe u bë avokat. Pse mos? Kush më mirë se ai di që t’i “mbrojë” të drejtat e njerëzve.

Unë, – shpjegohej mes njerëzve, – për një “puthje me korrespodencë” e pësova dhe, sa për të kaluarën si hetues, as që e zinte në gojë. Po dhe ne të tjerët as që ia zinim në gojë. E keqja qe se dhe ai “ndihmësi”, që doli si “dëshmitar”, ka marrë status të ish-përndjekurit politik. Kurse “vullnetari” që e qëlloi me pëllëmbë, në sy të nxënësve, tani është kryetar i një partie në rreth./Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat