Pusho në amshim Don (Ndue) Antonio Bellushi! Apostull i shqiptarizmës!

Diaspora

Pusho në amshim Don (Ndue) Antonio Bellushi! Apostull i shqiptarizmës!

Nga: Frank Shkreli Më: 21 qershor 2024 Në ora: 07:20
Dom Antoni (Ndue) Bellushi

“Në ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt: shqiptar, kosovar, dhe ai italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet si ajo e Skënderbeut, Aleksandërit, Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë, burim force e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të vdes kurrë!” – At Antonio Bellushi.

Ndërroi jetë At Antonio Bellushi një kolos i shqiptarizmës. Bota Arbëreshe, Shqipëria dhe Kosova mbajnë zi për kalimin në amshim të Dom Antonio Bellushit, ARBËRESHIT nga Kosova, siç e njihte komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë dekadave të fundit – sepse liria dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë ishin bërë pjesë e pa ndarë e jetës dhe e kryqëzatës së tij në mbrojtje të shqiptarëve kudo, sidiomos gjatë viteve të luftës në Kosovë. Ishte një mbrojtës i vendosur i Kosovës gjatë njërës prej krizave më të rënda historike të Kombit shqiptar. Ai merrte pjesë shpesh në shumë takime dhe raste kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Me At Antonio Bellushin, ishte gjithmonë kënaqësi të takohesh. Të në praninë e tij, ishte një përvojë e vërtetë patriotizmi -- një rast frymëzimi i vërtetë atdhedashurie. për të gjithë.

Të shpejta qenë reagimet nga mbarë bota shqiptare për lajmin se At Bellushi ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 90-vjeçare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shprehi ngushëllimet e saja për ndarjen nga jeta të Dom Antonio Bellushit me një deklaratë në rrjetët sociale: “Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, Kishën Arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut. Si Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij jetësore. I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin”, përfundon Presidentja Osmani reagimin e saj në emër të Republikës së Kosovës, me rastin e ndërrimit jetë të Antonio Bellushit, -- në emër të Kosovës, për të cilën ai punoi e veproi me gjithë shpirt për dekada, sidomos në bashkpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan.

 

Në një reagim të shpejt e të shkurtër, me këtë rast, Dom Lush Gjergji i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë, duke iu drejtuar atij me fjalët “Mik dhe vëlla i dashur Atë Ndue (Antonio)” shkruan se, jeta e At Antonio Bellushit ishte “Një jetë e gjatë shumë e begatshme, me plot fryte, zell, angazhim, frymëzim, do të them edhe entuziazëm unik në të mirë dhe dobi të Popullit tonë ilir, arbëror e sot shqiptar. Ai ka qenë mbi të gjitha prift arbëresh i ritit lindor apo bizantin, gazetar, publicist, etnograf, shkrimtar, udhëpërshkrues, pedagog, bibliotekar, mbi të gjitha i dashuruar në Zotin, Kishën Katolike, në Popullin tonë”. Dom Lush Gjergji e ka njohur mirë At Antonio Bellushin, në jetë dhe veprimtaritë e tija, por njihte dhe shpresat e tij për Kombin shqiptar, se e ardhmja e këtij kombi të lasht do të jetë në skenën botërore për të mirën e tij dhe të tjerëve: Porosia e tij ishte e qartë, largpamëse dhe profetike, kujton Dom Lush Gjergji: “Ne mbijetuam për të dëshmuar lashtësinë, historinë, autoktoninë, mbi të gjitha Provaninë e Zotit dhe historinë tonë tejet të lavdishme në krye me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun tonë… Populli ynë tash e tutje do të jetë në skenë për të mirën tonë dhe të tjerëve, të gjithëve…” Kaloi në amshim arbëreshi Atë Antonio BELLUSHI (1934 – 2024) (drita.info)

E sjellim këtë shënim të shkurtër e modest për të kujtuar dhe nderuar Arbëreshin e Madh Don Antonio Bellushin në ditën e shkuarjes së tij në amshim. Sepse i kemi shumë borxhe këtij burri të madh – por jo vetëm At Antonio Bellushit, por të gjithë arbëreshëve të Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare do mbahet mend si një përfaqësuesi i denjë i kulturës arbëreshe perëndimore. Kujtimi i tij do të vazhdojë të ketë një influencë të thellë në komunitetin shqiptaro-amerikan me të cilët ai e ndiente veten si në shtëpine e vet – por edhe do të kujtohet përgjithmonë në zhvillimet e ardhëshme të letërsisë, gjuhës dhe kulturës arbëreshe.

U nda nga kjo jetë një njeri i shumë vlerave fetare, kombëtare dhe kulturore të Arbërisë – një arbër me një idealizëm të pashoqt – që po len familjen dhe shumë miq të tij, anë e mbanë botës shqiptare – me një ndjenë humbjeje të thellë dhe të pazevendsueshme – sidomos në mërgatën shqiptaro-amerikane të cilën e donte fort.

Pushofsh në paqe Dom Antoni (Ndue) Bellushi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat