Për herë të parë një deputete shqiptare në Parlementin e Brukselit

Diaspora

Për herë të parë një deputete shqiptare në Parlementin e Brukselit

Më: 13 qershor 2024 Në ora: 14:44
Kristela Bytyçi

Bruksel, 13 qershor 2024 – Zgjedhesit e rajonit të Brukselit kanë shënuar një kthesë historike duke zgjedhur Kristela Bytyçin në Parlamentin e Brukselit ku ajo do të jetë tashmë deputetja e parë shqiptare e krahut të djathtë nën flamurin e Lëvizjes për Reforma (MR). Fitorja e saj kumbuese simbolizon një ripërtëritje politike për komunitetin belgo-shqiptar, të dominuar prej kohësh nga Partia Socialiste (PS).

Kristela Bytyçi, një figurë emblematike e së djathtës shqiptare në Belgjikë, ka mundur të mbledhë një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar në Bruksel. Fushata e saj dinamike, e cila përqëndrohej në integrimin, sipërmarrjen dhe sigurinë, është pritur mirë. "Pas kaq vitesh monopoli nga PS, zëri ynë i djathtë më në fund po dëgjohet. Ky është një kthim në rrënjët ideologjike të komunitetit tonë," tha ajo.

Këto zgjedhje shënojnë një kthim të fortë të së djathtës shqiptare, e cila kishte mbështetur prej kohësh kandidatët e PS-së kryesisht për shkak të origjinës së tyre shqiptare. Për gati njëzet vite, PS kishte siguruar mbështetjen e shumicës së këtij komuniteti. Megjithatë, këtë vit, votuesit shqiptarë kanë treguar një dëshirë për ndryshim dhe perspektiva të reja politike.

Aleanca e Kristela Bytyçit me MR ishte vendimtare. David Leisterh, kreu i MR në Bruksel, i përshëndeti këto zgjedhje si "një kapitull i ri për Brukselin dhe për partinë tonë". Ai shtoi: "Zgjedhja e Kristela Bytyçit tregon se mesazhi ynë i reformës dhe përparimit gjenë jehonë në të gjitha komunitetet të kryeqytetit tonë. Kristela është një grua e fortë, me bindje politike të forta, vullnetare dhe punëtore. Kam bindjen e thellë se do ta përfaqësoje komunitetin shqiptar brënda Parlementit të Brukselit në menyren më të denjë të mundshme dhe do të mbroje gjithnjë interesin e përgjithëshëm."

Deputetja e re është gati të marrë përsipër sfidat që e presin atë. "Ne kemi shumë punë përpara nesh. Mezi pres të punoj me kolegët e mi në Parlamentin e Brukselit për të gjetur zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve tanë, veçanërisht në fushat e arsimit, punësimit dhe sigurisë," tha ajo.

Kjo fitore simbolizon edhe një pjekuri politike brenda komunitetit shqiptar në Bruksel. Për shumë njerëz, zgjedhja e zonjës Bytyçit e pasqyron vullnetin e një komuniteti që ka arritur të imponojë veten dhe që po diversifikon orientimet e veta politike. Kjo arritje konsiderohet nga shumë qytetarë shqiptaro-belgë si një shenjë të transformimit thelbësor dhe ripërtëritjes politike të shqiptarëve të Belgjikës.

Në këto kushte zgjedhja e zj. Kristela Bytyçit është padyshim ngjarja më e rëndësishme politike e vitit 2024 për shqiptarët në Rajonin e Brukselit. Duke e shkëputur nga periudha njëzetvjeçare e përfaqësimit të tyre nga Partia Socialiste në institucionet vendase, zj. Bytyçi e hapë një faqe të re për komunitetin belgo-shqiptar, ku shënohet kthimi i komunitetit shqiptar tek identiteti i vet historik i së djathtës tradicionale.

Sfida e rradhës për deputeten e re belgo-shqiptare në Parlamentin e Brukselit do të jetë padyshim shndërrimi i kësaj fitoreje në veprime konkrete dhe të qëndrueshme në dobi të të gjithë qytetarëve të rajonit dhe veçanërisht të komunitetit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat