“Nëse Marco Pantani do të fitonte Xhiron e Italisë në vitin 1999, atëherë mafia do të shkatërrohej financiarisht.
Dhe Camorra do të duhej të paguante disa miliarda lireta (monedha e vjetër italiane) në baste klandestine dhe do të rrezikonte falimentimin”.
Kështu raportoi një bashkëpunëtor i drejtësisë te karabinierët në procesverbalin e komisionit antimafia, i cili hetoi vdekjen e ish-ciiklistit italian Marco Pantani. Tashmë këto deklarata, së bashku me zbulimet e Renato Vallanzasca-s, të cilit një i burgosur i kishte thënë të “vinte bast për përjashtimin e Pantani nga Xhiro”, janë gurthemeli i hetimit të ri nga prokuroria e Trentos.
Shoqata kriminale e stilit mafioz që synon baste klandestine tashmë lidhet me vdekjen e ish-çiklistit. Kjo është hipoteza e krimit që po hetohet nga prokurorja Patrizia Foiero, e cila do të dëgjojë rreth dhjetë persona të informuar për faktet në ditët në vijim. Etapa e zhvilluar në Madonna di Campiglio të Xhiros së Italisë 1999, është në qendër të vëmendjes.
Kur duheshin edhe dy etapa që të mbyllej ai edicion i Xhiros, “pirati” ishte në krye të renditjes me pothuajse 6 minuta avantazh. Por, mëngjesin e 5 qershorit, ai doli pozitiv në një test antidoping, të cilat dyshohej se ishin “manipuluar” nga Camorra. Pas atyre testeve Pantani u përjashtua nga Xhiro e Italisë 1999.
“Tashmë, shumë kohë përpara qershorit 1999, të burgosurit me origjinë nga Campania e dinin se Pantani do të përjashtohej nga Xhiro, pasi kjo ngjarje ishte e kushtëzuar nga ndërhyrja e një klani Camorra. Nëse Pantani nuk përjashtohej, mafia ishte e detyruar të paguante shuma marramendëse”, konfirmoi Renato Vallanzasca.