Luftë me Rusinë? NATO, plane për transportin e të plagosurve në rast konflikti

Bota

Luftë me Rusinë? NATO, plane për transportin e të plagosurve në rast konflikti

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 14:01
Ukrainë

NATO planifikon të koordinojë transportin e një numri të madh plagosurish larg vijave të frontit në rast të një lufte me Rusinë, potencialisht nëpërmjet trenave pasi evakuimet nga ajri mund të mos jenë të realizueshme, sipas një gjenerali të lartë.

Skenari i ardhshëm për evakuimet do të ndryshojë nga përvoja e aleatëve në Afganistan dhe Irak, tha në një intervistë për Reuters gjeneral Alexander Sollfrank, kreu i komandës logjistike të NATO-s.

Në rast të një konflikti me Rusinë, ushtritë perëndimore ka të ngjarë të përballen me një zonë lufte shumë më të madhe, një numër më të madh trupash të plagosur dhe të paktën një mungesë të përkohshme të epërsisë ajrore afër vijës së frontit, tha gjenerali gjerman.

“Sfida do të jetë sigurimi i shpejtë i një kujdesi cilësor për, në rastin më të keq, një numër të madh të plagosurish,” tha ai pa specifikuar se sa trupa të plagosur mund të bëhej fjalë.

Planifikimi për evakuime është pjesë e një përpjekjeje shumë më të gjerë të NATO-s, e nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.

Ushtria gjermane ka thënë se pret që Rusia të jetë në gjendje të sulmojë një vend të NATO-s që në vitin 2029, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin e quan Perëndimin si agresor për armatosjen e Ukrainës.

Lufta e Ukrainës ka shkaktuar konfrontimin më të ashpër midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962.

Sollfrank drejton Komandën e Përbashkët Mbështetëse dhe Mundësuese të NATO-s (JSEC), e ngarkuar me koordinimin e lëvizjes së shpejtë të trupave dhe tankeve në të gjithë Europën, si dhe përgatitjet logjistike si ruajtja e municioneve në krahun lindor të NATO-s.

Kohët e fundit, JSEC, e cila është e vendosur në qytetin jugor gjerman të Ulm organizoi një stërvitje në koordinimin e flukseve të pacientëve

Nëse ndodh një konflikt me Rusinë, trupat e plagosur nuk do të duhet vetëm të transportohen në një distancë më të madhe se në luftërat e tjera të viteve të fundit, tha Sollfrank.

Mbrojtja ajrore dhe avionët rusë do të kërcënonin fluturimet në një mënyrë që avionët në Afganistan ose Irak nuk mund ta bënin, me gjasë duke krijuar nevojën për përdorimin e trenave që mund të transportojnë më shumë persona se sa avionët.

“Epërsia ajrore do të duhet të arrihet në radhë të parë. Do të kërkojë kohë për të pasur sukses,”tha Sollfrank.

Rregulloret e ndryshme mjekësore midis vendeve janë një tjetër pengesë për t’u kapërcyer, tha Sollfrank.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat