Mes mjegullës së zgjedhjeve, Perëndimi kujdeset që Ukraina të ketë armë edhe më 2025

Bota

Mes mjegullës së zgjedhjeve, Perëndimi kujdeset që Ukraina të ketë armë edhe më 2025

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 07:48
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke u larguar nga ceremonia e nënshkrimit të marërveshjes dypalëshe më 13 qershor 2024.

Kur Kongresi amerikan miratoi në prill ndihmën për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh pas gjashtë muajsh vonesë, kjo vonesë i kushtoi Ukrainës me territor dhe një pjesë të madhe të sistemit të saj të energjisë, dhe menjëherë u ngrit një pyetje: a ishte kjo paketa e madhe e fundit e mbështetjes për vendin që po lufton kundër pushtimit masiv që ka nisur Rusia?

Me mbështetjen e publikut amerikan për luftën në Ukrainë që po bie – veçmas në mesin e votuesve republikanë – pas më shumë se dy vjet luftë në shkallë të plotë a do të ketë vota të mjaftueshme në Kongres për të miratuar një paketë të madhe të ndihmës më 2025? A do të ketë edhe një paketë të ndihmës nga SHBA-ja nëse ish-presidenti Donald Trump, kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar?

Gjatë dy javëve të fundit, Qeveria amerikane dhe ato evropiane me urgjencë u janë përgjigjur disa prej këtyre pyetjeve, duke ndërmarrë hapa që synojnë të sigurojnë që Ukraina të mbijetojë financiarisht dhe të jetë në gjendje të mbrojë veten më 2025, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

Gjatë takimit në jug të Italisë nga 13 deri më 15 qershor, Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) u pajtua t’i japin një kredi Ukrainës në vlerë prej 50 miliardë dollarësh, në mënyrë që të paguhet nga të ardhurat e interesit dhe përfitimet e gjeneruara nga asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse, që janë në Perëndim, si ndëshkim për shkak të pushtimit. Ukraina do të nisë së pranuari këto para gjatë këtij viti. Ato do të përdoren për blerjet për ushtrinë, për nevojat buxhetore dhe rindërtim – veçmas të infrastrukturës së energjisë që është dërmuar nga sulmet ruse.

Në margjinat e samitit, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkruan një marrëveshje dhjetëvjeçare të sigurisë mes dy shteteve, duke i bërë jehonë pakteve të ngjashme që aleatët e tjerë perëndimorë kanë arritur me Kievin. Sipas marrëveshjes, SHBA-ja do të inkurajojë kompanitë amerikane të mbrojtjes që të krijojë sipërmarrje të përbashkëta me kompanitë ukrainase dhe të bashkëprodhojnë armë kritike dhe municione brenda vendit, duke ulur varësinë e Kievit nga ndihma perëndimore.

“Strategjia [e presidentit rus, Vladimir] Putinit është që të lodhet Perëndimi dhe Ukraina dhe në fund të mund të fitojë” duke e shndërruar Ukrainën në një shtet të dështuar, tha për Radion Evropa e Lirë, Charles Kupchan, hulumtues i lart në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë dhe profesor i Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown.

“Aleatët ia kanë bërë të qartë Putinit se kjo nuk do të ndodhë. Ky është një mesazh i jashtëzakonshëm që është dërguar”, tha ai.

Po ashtu, mund të ketë edhe ndihmë shtesë nga Perëndimi për Ukrainën. Në samitin e 9-11 korrikut në Uashington, NATO-ja pritet të njoftojë për një marrëveshje nga shtetet anëtare për të vazhduar mbështetjen ushtarake, duke mbështetur më tej Ukrainën përgjatë vitit 2025. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po kërkon 40 miliardë dollarë dhe po ashtu pritet të shpalosë planet që NATO-ja të marrë kontrollin nga SHBA-ja mbi koordinimin e ndihmës ushtarake nga aleatët.

Ndërkaq, administrata Biden njoftoi më 20 qershor se është pajtuar me aleatët për të dërguar në Ukrainë sistemin Patriot dhe Sistemin e Avancuar Kombëtar të Raketave Tokë-Ajër (NASAMS), sisteme këto që fillimisht ishte paraparë të dërgoheshin në shtete të tjera.

Ukraina do të nisë të pranojë sistemet Patriot dhe NASAMS më vonë gjatë kësaj vere dhe furnizimet do të jenë të mjaftueshme që të mbulojnë nevojat e shtetit deri në fund të vitit 2025, tha Shtëpia e Bardhë. Këto sisteme do të ndihmojnë Ukrainën, veç tjerash, që të mbrojë veten kundër avionëve rusë dhe të pengojë raketat e nisura drejt sektorit të saj të energjisë.

Një reduktim i madh apo ndalimi i ndihmës nga SHBA-ja mund të jetë shumë i dëmshëm për përpjekjet e luftës të Ukrainës, siç dëshmohet edhe nga ngecjet që shteti ka pësuar për shkak të mungesës së municioneve dhe mbrojtjes ajrore në kohën kur republikanët, që kanë mbështetjen e Trumpit, bllokuan paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh që e propozoi Bideni në tetor.

SHBA-ja është mbështetësja më e madhe e Ukrainës dhe deri më tani ka ndarë rreth 175 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare për Kievin që kur ka nisur pushtimi. Uashingtoni po ashtu ka pasur rol kyç në koordinimin e mbështetjes ushtarake nga aleatët e NATO-s.

Në një raport të 20 qershorit, Liam Peach, ekonomist në firmën hulumtuese Capital Economics në Londër, tha se kredia prej 50 miliardë dollarësh “mund të ndihmojë në ruajtjen e mbështetjes për Ukrainën gjatë viteve të ardhshme kundër ndryshimeve të mundshme të politikës në Perëndim, përfshirë një fitore të mundshme të Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane”. Kjo shumë është pak më e madhe sesa deficiti buxhetor i Ukrainës për vitin 2024.

Kupchan paralajmëroi se mbështetja në shkallë të gjerë e Perëndimit deri më 2025 dhe më tej nuk është e gdhendur në gur, me Trumpin dhe udhëheqësit evropianë të krahut të djathtë që po garojnë për pushtet. Presidenti francez, Emmanuel Macron, që është një mbështetës i Ukrainës, gjatë këtij muaji thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi partia franceze e krahut të djathtë doli mirë në zgjedhjet e BE-së.

“A është ky një plan i sigurt? Absolutisht jo sepse ne nuk e dimë se kush do të fitojë zgjedhjet në SHBA dhe në Francë. Nëse keni qeveri që janë të gatshme të ndalin ndihmën, atëherë gjërat ndërlikohen më shumë”, tha ai.

Trump nuk e ka thënë qartë se çfarë do të bënte lidhur me ndihmën për Ukrainën nëse do të zgjidhej president. Gjatë fushatës zgjedhore më 16 qershor, dy ditë pasi Perëndimi njoftoi për kredinë prej 50 miliardë dollarësh, ai tha se lobimi i Zelenskyt për ndihmë “nuk mbaron kurrë”.

Trump po ashtu ka përsëritur pretendimi se ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt, duke thënë se “do të arrijmë pajtim” brenda javësh, nëse ai zgjidhet president. Ai nuk ka treguar se si do ta arrinte këtë dhe nuk ka sinjale se palët janë afër negociatave.

Steven Pifer, që ishte ambasador amerikan në Ukrainë nga viti 1998 deri më 2000 dhe aktualisht është analist në Institucionin Brookings, tha për Radion Evropa e Lirë se kredia prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe roli më i madh i NATO-s në të ardhmen sa i përket organizimit të ndihmës për Ukrainën, paraqesin “një lloj mbrojtjeje kundër një fitoreje të Trumpit” në nëntor.

Pifer tha se nuk do të priste që Trump të kërkonte një paketë të re të ndihmës për Ukrainën më 2025, nëse ai fiton zgjedhjet. Një fitore e Bidenit, ndërkaq, mund ta bëjë miratimin e një pakete ndihme pak më të lehtë edhe nëse republikanët ende do të kishin kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, tha ai.

Kupchan tha se ai mendon se Trumpi do të miratonte një paketë të ndihmës vitin e ardhshëm, nëse zgjidhet në nëntor.

“Qëndrimi i parë i Trumpit do të jetë që të zvogëlojë ndjeshëm ndihmën e huaj në përgjithësi, përmes ndihmës për Ukrainën që është në krye të listës së tij”, tha ai.

Por, ndihma nuk do të binte në zero vitin e ardhshëm, parashikoi ai, sepse “Trumpi nuk dëshiron të hyjë në histori si presidenti amerikan që la në baltë Ukrainën dhe ai dorëzoi Ukrainën Vladimir Putinit”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat