LIVE: Luftime të ashpra/ Një pjesë e rusëve kundër Putinit, betohen ta sulmojnë Rusinë – Macron jep një mesazh për Ukrainën!

Bota

LIVE: Luftime të ashpra/ Një pjesë e rusëve kundër Putinit, betohen ta sulmojnë Rusinë – Macron jep një mesazh për Ukrainën!

Nga: Bota sot Më: 21 mars 2024 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 22:53 më 21.03.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Presidenti i Francës, Macron: Shumë shpejt Ukraina mund të…

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se beson se rënia e Ukrainës është e afërt sipas gazetës Politico, duke iu referuar burimeve të saj.

Sipas gazetës, të mërkurën Macron zhvilloi një aktivitet politik në Pallatin Elysee, ku ndër të tjera u diskutua edhe për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian.

Ukraina mund të bjerë shumë shpejt,” tha Macron gjatë eventit, siç u raportua në gazetë nga një burim.

Më herët, në një konferencë për shtyp me presidentin çek Petr Pavel, Macron tha se vendet evropiane nuk duhet t’i vendosin kufij vetes kur flasin për të ndihmuar Ukrainën për të parandaluar përhapjen e ndjenjave disfatiste.

Në këtë sfond, Macron theksoi rëndësinë e sigurimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe shprehu mbështetjen për nismën çeke për të blerë predha artilerie nga vende të treta jashtë BE-së.

Më 26 shkurt, duke folur pas një konference për Ukrainën në Paris, Macron nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore perëndimore në zonën e operacionit special ushtarak në Ukrainë. Ai u zotua gjithashtu se shtetet perëndimore do të “bëjnë atë që është e nevojshme” për të parandaluar fitoren e Rusisë në këtë konflikt.

Në një intervistë të 17 marsit me gazetën Le Parisien, Macron tha se operacionet tokësore mund të jenë të nevojshme në një moment të caktuar “për t’u përballur me forcat ruse” në Ukrainë.

Banorëve të rajonit rus në kufi u kërkohet të evakuohen

Autoritetet ruse i kanë udhëzuar të enjten banorët e qarkut Graivoronski në rajonin rus në kufi me Ukrainën, Belgorod, të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre.

Rajoni i Belgorodit është duke u sulmuar vazhdimisht me dronë dhe raketa nga forcat ukrainase në javët e fundit.

“Ju kërkoj ta merrni vendimin e duhur dhe ta largoheni përkohësisht nga zonat kufitare”, tha kryetari i qarkut, Gennady Bondarev.

Ai shkroi në rrjetin social VKontakte se autoritetet në Yaroslavl, rreth 1.000 kilometra në verilindje të Graivoronskit, janë të gatshme t’i akomodojnë të gjithë ata që duan të largohen.

Ai shtoi se autoritetet ruse do ta aranzhojnë largimin e tyre.

Dy ditë më parë, autoritetet ruse thanë se rreth 9.000 fëmijë do të evakuohen prej Belgorodit dhe rajonit përreth, pas sulmeve, për të cilat janë duke e fajësuar Ukrainën.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha të martën se tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në sulmet e fundit, derisa një pjesë e rajonit ka mbetur pa furnizim me rrymë.

Ai ka thënë se nga sulmet e ditëve të fundit, në përgjithësi janë vrarë 16 njerëz dhe janë plagosur 98 të tjerë.

Nxënësit në Belgorod u urdhëruan që të mos shkojnë në shkollë të hënën dhe të martën.

Qendrat tregtare në Belgorod kanë qenë të mbyllura të dielën dhe të hënën.

Grupet e armatosura ruse: Do të vazhdojmë luftën kundër Putinit

Grupet e armatosura që pretendojnë se përbëhen nga rusë që kundërshtojnë Kremlinin janë zotuar se do të vazhdojnë sulmet në rajonet kufitare ruse.

Disa nga grupet paraushtarake të mbështetura nga Ukraina nisën inkursione javën e kaluar në rajonet e Kursk dhe Belgorod dhe pretenduan se kanë hyrë në disa fshatra.

Rusia, ndërkohë, tha se kishte zmbrapsur grupet, të cilat i sheh si marioneta të ushtrisë amerikane dhe ukrainase, raporton skynews.

Në një konferencë shtypi sot, Denis Kapustin, drejtuesi i një prej njësive, Trupa Vullnetare Ruse, tha se “operacioni, edhe tani, po vazhdon. Ne do të flasim për humbjet tona pas përfundimit të tij”.

Ndryshe, tri grupe luftëtarësh që pretendojnë se janë rusë me bazë në Ukrainë – Legjioni i Lirisë së Rusisë, Korpusi Vullnetar Rus dhe Batalioni Siberian.

Rusët fundosën anijen e tyre të Flotës Baltike

Rusët fundosën anijen e tyre gjatë një stërvitje.

Më 19 mars të këtij viti një raketë goditi anijen e njohur me emrin “Kapitan Lobanov”.

Raketa ruse la të vdekur tre anëtarë të ekuipazhit dhe plagosi katër të tjerë.

Tashmë janë publikuar në rrjetet sociale video të djegies së anijes gjatë ushtrimeve të marinës së Rusisë.

Raketa u lëshua gjatë një stërvitje të Flotës Baltike ruse, raportuan mediat e huaja.

Anija e vogël pësoi dëme të mëdha dhe më pas u fundos në det.

Scholz: Asetet e ngrira ruse të përdoren për financimin ushtarak të Ukrainës

Kancelari gjerman thotë se një pjesë e pasurisë ruse duhet të përdoren për të blerë armë për Kievin.

Olaf Scholz ka kërkuar që fitimet nga asetet e ngrira ruse të përdoren për financimin ushtarak të Ukrainës.

“Këto para së gjithash duhet të përdoren për të blerë ato armë dhe municione që Ukraina ka nevojë për të mbrojtur veten”, tha Scholz përpara një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ai tha se shpresonte që liderët të bien dakord për këtë çështje, raporton skynews.

“Jam shumë i sigurt se ne po i dërgojmë një sinjal shumë të qartë Putinit. Ai ka bërë llogaritje të gabuara nëse beson se ne nuk jemi në gjendje të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Dhe përdorimi i fitimeve të papritura është i vogël, por është komponent i rëndësishëm”, tha ai.

Ndryshe, pasuria e konfiskuar ruse në perëndim kap vlerën e 275 miliardë eurove.

Rusët që luftojnë përkrah ukrainasve organizojnë pritë për trupat e Putinit – i godasin në territorin rus me dronë kamikaz

Një grup i rusëve që luftojnë përkrah ukrainasve kundër trupave të Vladimir Putinit, janë duke kryer pothuajse çdo ditë sulme brenda territorit të Rusisë.

Ata së fundmi kanë organizuar pritë për ushtarët rusë – duke arritur të eliminojnë pjesëtarët e njësisë elitare Spetsnaz.

Rusët po qëndronin në një shtëpi kur dronët kamikaz i goditën – duke i hedhur në erë disa prej tyre.

E ky sulm ka ndodhur në Kozinka, një rajon rural në Belgorod që gjendet shumë pranë vijës kufitare Rusi-Ukrainë.

Në këtë sulm u godit edhe një ndërtesë kolektive, e cila ishte rrethuar nga ukrainasit që i goditën edhe me artileri nga territori i Ukrainës.

Brigada ukrainase mund ta dyfishojë numrin e tankeve të avancuara Leopard, falë përpjekjeve të Spanjës

Ukraina raportohet se do të merr më shumë tanke Leopard 2-A4 nga Spanja, shkruan Forbes.

Media spanjolle InfoDefensa raportoi për tanket të mërkurën, ku sipas kësaj faqe është miratuar nga Spanja transferimi i 20 tankeve Leopard 2A4 që dikur i përkisnin kësaj ushtrie.

E kjo nëse realizohet siç po planifikohet, numri i këtyre tankeve 55 tonëshe do të shkojë në 74 që i janë dhënë Ukrainës nga vendet anëtare të NATO-s.

Deri më tani janë futur 40 sosh dhe po i përdor Brigada e 33-të e motorizuar e ushtrisë ukrainase që po vazhdon luftimet në jug të vendit.

Sipas Oryxc, kjo brigadë tashmë ka humbur tetë tanke Leopard 2 dhe nëntë tjerë janë dëmtuar pjesërisht dhe janë detyruar t’i tërheqin nga vija e frontit. 

Rusia sulmon me tre dronë Nikopolin e Ukrainës

Një qytet në Ukrainën lindore u sulmua me dron në tre raste të ndryshme sot, ka thënë një zyrtar.

Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipro, tha se një dron kamikaz synoi Nikopolin këtë mëngjes, me dy sulme të tjera me dronë të nisur këtë mbrëmje, shkruan skynews.

“Askush nuk u lëndua nga terrori i armikut sot”, tha ai.

Lysak nuk tha nëse dronët u rrëzuan ose nëse ata shkaktuan ndonjë dëm.

Sulmet ukrainase me dron dëmtojnë rafineritë ruse të naftës

Kohët e fundit Ukraina ka ndërmarrë një seri sulmesh me dronë kundër Rusisë duke dëmtuar rafineritë e naftës dhe ulur ndjeshëm kapacitetet përpunuese të Moskës.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, Kievi dhe aleatët e tij synojnë të dëmtojnë burimin e të ardhurave të Kremlinin nga shitja e naftës.

Një dron ukrainas fluturon në qiellin e mbuluar nga tymi mbi rafinerinë e naftës Ryazan në Rusinë perëndimore. Mjeti përplaset me fabrikën dhe shkakton një shpërthim të madh.

Sulmi i 13 marsit ishte pjesë e një vale goditjesh të kohëve të fundit që kishin si objektiv industrinë ruse të naftës. Kievi pretendon të ketë goditur të paktën shtatë rafineri. Analisti Tom O’Donnell thotë për Zërin e Amerikës se shumë prej rafinerive ndodhen në zonat fqinje me Ukrainën. 

“Luftërat kërkojnë sasi të mëdha nafte për tanke dhe makineri të tjera. Ai rajon është përgjegjës drejtpërdrejt për naftën që furnizon makinerinë e luftës”.

Sulmet synojnë gjithashtu reduktimin e të ardhurave ruse nga nafta. Edhe rafineria në Nizhny Novgorod, rreth 775 kilometra brenda Rusisë, u godit me dron më 12 mars.

“Më parë, Rusia eksportonte po aq naftë bruto sa edhe karburante të përpunuara, por duke goditur rafineritë e përpunimit në thellësi të vendit, kjo e detyron Moskën që të shesë naftë bruto për të nxjerrë fitime”, thotë Thomas O’Donnell, analist për energjinë dhe gjeopolitikën.

Sulmet e fundit me dron e kanë pakësuar kapacitetin e përgjithshëm të përpunimit të naftës ruse me 370,500 fuçi në ditë ose 7% të totalit, sipas përllogaritjeve nga agjencia e lajmeve Reuters.

Presidenti i Ukrainës e vlerësoi ushtrinë për rritjet e aftësive me dron.

“Javët e fundit ka dalë në pah dobësia e makinerisë ruse të luftës. Ne mund t’i shfrytëzojmë këto dobësi me armët tona”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Sulmet e Ukrainës do ta rrisin më tej ndikimin e çmimit tavan për naftën ruse që ka vënë Perëndimi që nga dhjetori i vitit 2022 për të goditur ekonominë ruse.

Aktualisht, shumica e naftës ruse transportohet me anije cisternë përmes Detit Baltik, çka ofron një mundësi për aleatët e Ukrainës, thotë analisti O’Donnell.

“Anijet cisternë janë shumë të vjetra dhe me probleme. Në bazë të ligjit ato mund të ndalohen dhe të inspektohen nëpër ngushtica apo ujëra territoriale mes Danimarkës dhe Suedisë. Inspektorët mund të gjejnë se anijet nuk i përmbushin kushtet e sigurisë për transportimin e naftës, ose nëse kanë siguracionin e duhur për transportin dhe t’i kthejnë ato mbrapsht. Kjo do të ishte një ndërhyrje dramatike.”

Vendet e G7 e kanë ashpërsuar që nga dhjetori procesin e vëzhgimit për respektimin e kufirit të çmimit të naftës ruse. Kievi dhe aleatët e tij shpresojnë që përpjekjet e tyre të kombinuara do të kufizojnë burimin kryesor të të ardhurave të Rusisë që po financon luftën në Ukrainë.

Rusia është si asnjëherë më parë në krizë për ushtarë, Putin dërgon edhe të burgosurit në frontin e luftës

Dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, Kremlini po ristrukturon dhe zgjeron ushtrinë e vendit në pritje të një konflikti me NATO-n në plan afatgjatë, por edhe të një sulmi apo ofensive në Ukrainë, në plan afatshkurtër. Ndryshe nga pritshmëritë e presidentit rus Vladimir Putin, muajt e parë të pushtimit zbuluan mangësi të thella në planifikimin ushtarak rus. Ekspertët si dhe zyrtarë amerikanë dhe të huaj nxituan ta shpallnin ushtrinë ruse një “tigër letre”. Por ndërsa lufta hyn në vitin e tretë, duket sikur koha ka mbetur në vend dhe sërish Rusia e gjen veten duke luftuar me një “krizë” për ushtarë. Ushtria ruse po përballet gjithnjë e më shumë me mungesën e trupave për ti dërguar në vijën e frontit në Ukrainë. Vendi ka humbur tashmë qindra mijëra jetë në luftën e tij katastrofike në Ukrainë.Rusia aktualisht duhet të angazhojë më shumë njerëz në forcat e saj të armatosura. Ndaj, në këtë kontekst, shpjegohen të gjitha “fushatat e rekrutimit”, nga më normalet tek më çnjerëzoret.

Nga burgu në front

Rusia vazhdon të zbrazë burgjet dhe të dërgojë "vullnetarë" nga kolonitë penale në front. Këshilli i Federatës, dhoma e lartë e parlamentit të Moskës, ka miratuar një projekt-ligj që u lejon atyre që janë dënuar ose janë nën hetim për krime të rënda të mesme, të zëvendësojnë periudhën e tyre të burgut me shërbimin ushtarak në Ukrainë. Një dekret i parë i tillë hyri në fuqi në vitin 2023 dhe zbatohej gjithashtu për krimet e kryera para shpalljes së tij. Tani, praktika është sistemuar dhe kodifikuar brenda Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Ata që kanë kryer krime kundër sigurisë publike, abuzim seksual të të miturve, akte terrorizmi ose krime kundër themeleve të rendit kushtetues dhe sigurisë shtetërore, përjashtohen nga mundësia e shmangies së burgut. Ndërsa për qytetarët rusë që vendosin të nënshkruajnë një kontratë me forcat e armatosura, ndëshkimi dhe hetimet në lidhje me ta do të pezullohen. Sjellja e tyre do të monitorohet nga komandantët e njësive të ndryshme dhe, nëse një person kryen një krim tjetër gjatë shërbimit ushtarak, gjykatat do të marrin parasysh dënimet e mëparshme. Nëse një nga këta "vullnetarë" dekorohet gjatë kohës së tij në Ukrainë, ai do të jetë në gjendje të shijojë heqjen e çdo “njolle” nga rekordi i tij kriminal.

Taktikat e Prigozhin

Vetë praktika nuk është asgjë e re. I pari që e përdori atë gjatë konfliktit ishte Yevgeny Prigozhin, kreu i ndjerë i kompanisë Wagner, i cili gjatë periudhës së "lavdisë" së PMC-së së tij rekrutoi mijëra luftëtarë nga popullsia ruse e burgjeve. Që nga prilli i vitit 2023, qeveria e Moskës e ka imituar atë duke krijuar njësitë "Storm-Z", batalionet penale të trajnuar për rreth dhjetë ditë përpara se të dërgoheshin për të luftuar në zona të nxehta si Bakhmut dhe Avdiivka, ku ata pësuan humbje që varionin nga 40 deri në 70 % e fuqisë punëtore. Pasi mbaroi periudha e tyre e shërbimit, shumë nga kriminelët e mbijetuar që u kthyen në Rusi si njerëz të lirë kryen krime të tjera, shpesh të dhunshme, duke krijuar një problem real social në shumë komunitete në vend. Sipas dëshmive të mbledhura nga Wall Street Journal, gjyqtarët e Federatës gjithashtu do t'u rezervonin atyre një trajtim më të butë për faktin se ata luftuan kundër Kievit.

Dy ushtri të reja

Ka gjithashtu raporte se po rritet numri i ushtarëve që refuzojnë të kthehen në front, kjo ka detyruar Moskën të krijojë batalione vullnetare. Rusia tha së fundmi se ushtarët e saj po zmbrapsnin forcat ukrainase dhe se ata do të përforcoheshin me dy ushtri të reja dhe 30 formacione deri në fund të këtij viti. Rusia kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës dhe presidenti rus Vladimir Putin e urdhëroi atë të përparojë më tej pasi pushtoi qytetin lindor të Avdiivka muajin e kaluar. “Grupe ushtarësh rusë ende po e shtyjnë armikun nga pozicionet e tyre”, u tha gjeneralëve ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu.Ai njoftoi se Rusia, e cila ka rekrutuar qindra mijëra mercenarë, do të krijojë dy ushtri të reja dhe 30 formacione, duke përfshirë 14 divizione dhe 16 brigada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat