​Kick Boks/ Flasin fituesit e medaljeve: Krenari ta përfaqësojmë Kosovën

Boksi

​Kick Boks/ Flasin fituesit e medaljeve: Krenari ta përfaqësojmë Kosovën

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 14:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Në mesin e 17 medaljeve të fituara, Kosova ka rrëmbyer edhe një të artë dhe nëntë të argjendta në Kampionatin Ballkanik të Kick Boksit që u zhvillua në Bar të Malit të Zi.

Me medaljen e artë u stolis Fatlind Ejupi i cili në finale e mposhti kick boksierin boshnjak Davud Velic i cili nga goditjet e forta u dorëzua që në raundin e parë.

Pasi mori medaljen, Ejupi tha për KosovaPress se ky trofe ka rëndësi të veçantë si në aspektin personal, por edhe për shtetin e Kosovës.

Ejupi: Medalja e artë më bën krenar

Medalja e artë për mua është shumë e rëndësishme si për mua ashtu edhe për Kosovën. Është një krenari e madhe që ta përfaqësojë Kosovën në garën ballkanike në një federatë të fortë siç është Ovako. Po ashtu është një shtytje e imja dhe një motivim për të ardhmen që mos të ndalem. Mund të them se e kam pritur sepse përgatitjet kanë qenë shumë të mira, kanë qenë jo aq të lehta me trajnerin Marjan Havolli”, tha Ejupi.

Ndërsa fituesi i medaljes së argjendtë, Dalmat Salihaj theksoi se hyri në luftë për të artën, por që nuk ia doli pasi nuk ishte në formën e tij më të mirë.

Salihaj: Krenari ta përfaqësoj Kosovën në këto gara

“E kërkova me ngulm medaljen e artë…Jam i kënaqur deri diku me vendin e dytë në Kampionatin Ballkanik por shpresoj që herën tjetër të vazhdoj me medaljen e artë. Stërvitjet dhe përgatitjet kanë qenë deri diku në gjysmë prandaj nuk ishte mundësia më e mirë për të dhënë maksimumin tim…Është ndër ndjenjat më të mira, nuk ekziston diçka tjetër se sa kur përfaqëson vendin tënd në Evropian e Kampionat Botëror që të shihet flamuri ynë në çdo vend”, tha Salihaj.

Ndryshe, ky sukses i Federatës së Kick boksit të Kosovës vije vetëm dy javë pasi u fituan pesë medalje elitare në Kupën Mesdhetare në Turqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat