Ish-kampionia e botës në peshën “bantamweight” (pesha deri 62 kg) në artet marciale mikse, luftëtarja amerikane Holly Holm, ka zyrtarizuar se ka firmosur një kontratë të re me UFC-në edhe për 6 duele të tjera.
Një lajm që konfirmon se 41-vjeçarja nuk ka ndërmend të tërhiqet nga sporti i arteve marciale mikse.
Holm, 14 fitore e 6 humbje në kafaz, do të duelojë sërish këtë fundjavë, gati 10 muaj nga hera e fundit, në eventin UFC on ESPN 43. Përballë saj do të jetë Yana Santos. Ajo shpreson që të fitojë dhe t’i afrohet mundësisë për të dueluar sërish për titullin kampion bote brenda këtij viti.
Përveç titullit të fituar në vitin 2015, kur mundi Ronda Rousey, Holm ka patur mundësinë edhe në 3 raste të shpallej kampione, por është mundur nga De Germaine (2017), Cyborg (2017) dhe Nunes (2019).
“UFC e dinte që Holly kishte shumë opsione të tjera, ajo është shumë e kërkuar dhe ndoshta mund të kishte fituar më shumë para diku tjetër.
Gjithsesi, misioni i saj është të marrë titullin kampion, duke vendosur rekordin si kampionia më e vjetër në kafaz. Ajo është një ose dy luftime larg kësaj mundësie”, tha Lenny Fresquez, menaxheri i Holly Holm.