Sfida mes Conor McGregor dhe Dustin Poirier, që do të zhvillohet më 23 janar në Abu Dhabi, në eventin UFC-257, do të jetë si një gjysmëfinale në Divizionin e peshës së lehtë. Fituesi i këtij dueli do të jetë kandidat për titullin kampion bote në peshën e lehtë.
Lajmin e konfirmoi presidenti i UFC-së, Dana White, që prej 11 janarit do të zbarkojë në “Fight Island” në Abu Dhabi, për të kryer përgatitet e duhura për këtë event. Aty ai do të marrë vendimin për të ardhmen e këtij Divizioni, pasi të takojë edhe Khabib Nurmagomedov, që pritet të jetë aty ditët në vijim.
Siç dihet, titullin kampion të peshës së lehtë e mban ende rusi Khabib Nurmagomedov, por që deklaroi tërheqjen e tij nga sporti. Sipas UFC-së, ai është ende kampion bote në këtë Divizion, deri në një vendim të dytë.
“Unë ende nuk e di se çfarë do të ndodhë në këtë peshë. Gjithsesi, mendoj se kush e fiton këtë përballje mes Conor dhe Dustin, do të jetë kandidati kryesor për titullin e këtij Divizioni.
Nëse do të duelojë ndaj Khabib apo ndaj ndonjë kandidati tjetër, kjo do të vendoset në vijim”, tha Dana White.