76 miliardë dollarë. Shifra për marrëveshjen e re të arritur nga NBA për të drejtat televizive për 11 vitet e ardhshme po bën bujë, pasi ka thyer çdo rekord. Kontrata e re do të fillojë nga sezoni 2025-26, pra jo nga ai i ardhshëm.
Ndeshjet e Ligës më të bukur të basketbollit në botë do të transmetohen nga ESPN dhe ABC të grupit Disney si dhe nga NBC e Amazon Prime.
Tnt Sports, partneri historik televiziv i NBA-së që nga vitet 1980, ka 5 ditë kohë për të përmbushur ofertat dhe për të vazhduar të ofrojë basketbollin amerikan në programin e tij. Marrëveshja nuk është ende zyrtare, por konfirmohet nga burimet amerikane, në radhë të parë Associated Press. Firmat në kontratën e re do të hidhen javën e ardhshme kur të mbërrijnë komunikatat zyrtare të ratifikimit.
ABC do të vazhdojë të transmetojë “the finals”, ekskluzive që nga viti 2003 si dhe takimet e fundjavës me integrim javor nga ESPN. Ndërsa NBC, që ka transmetuar edhe më parë ndeshjet e NBA, do të japë ndeshjet e së dielës, të hënës dhe të martës. Marrëveshja me Prime Video do të mbulonte ndeshjet të enjten, të premten dhe të shtunën.
Ky “shi” i parave i lejon NBA-së të parashikojë një rritje të mëtejshme të pagave, tashmë faraonike, të lojtarëve.
Është e besueshme të imagjinohet një rritje e kufirit të pagave prej 10% në vit, maksimumi i lejuar nga kontrata kolektive. Për të sqaruar, lojtarët më të mirë në 10 vjet mund të fitojnë rreth 100 milionë në sezon.
NBA ka 30 ekipe, por ato mund të bëhen 32 në të ardhmen e afërt. Qytetet kryesore kandidate për të pushtuar basketbollin janë Seattle (do të ishte një rikthim) dhe Las Vegas. Por ka pretendentë të tjerë legjitimë: Montreal, Kansas City dhe Vancouver (një tjetër rikthim i mundshëm). NFL, Liga Amerikane e Futbollit, ka 32 ekipe. NBA nuk dëshiron të mbetet kurrë pas.