Shqipëria vijon përfaqësimet e saj në Kampionet Europiane të basketbollit të moshave, kompeticione të FIBA-s. Përfaqësueset kuqezi regjistruan një fitore dhe dy humbje në konkurrimet e tyre në ditën e djeshme.
Suksesi mban firmën nga Kombëtarja U-16 e djemve në Divizionin C, që po mbahet në Tiranë.
Pasi kishte fituar përballjen e parë kundër Azerbajxhanit, Shqipëria triumfoi edhe në sfidën e dytë kundër Maltës, takim i vlefshëm për Grupin A, i zhvilluar në sallën “Feti Borova”. Adoleshentët e koshit kuqezi, të drejtuar nga trajneri Artur Kasaj, dominuan tërësisht përballë bashkëmoshatarëve të tyre nga Malta, duke fituar me rezultatin e thellë 88-49 (27-4, 19-17, 30-13, 12-15), për ta marrë vendin e parë në grup.
Lojtari i ndeshjes u shpall Preston White, autor i 21 pikëve në triumfin e Shqipërisë. Ndërkohë, dy humbjet erdhën nga kombëtaret e vajzave. Përfaqësuesja U-20, e drejtuar nga trajneri Klarent Dedaj, e cila luan në një kategori më të lartë si Divizioni B, pësoi disfatën e radhës, teksa u mposht nga Bullgaria me rezultatin e thellë 90-60 (25-14, 22-21, 18-12, 25-13). Ky takim ishte i vlefshëm për klasifikim final 9/15 me kompeticionin që po mbahet në Sofje.
Gjithashtu, humbje regjistroi edhe Kombëtarja U-16, ekip që drejtohet nga trajneri Igli Zejno. Vajzat kuqezi u mposhtën nga Moldavia me rezultatin 57-52 (14-11, 17-16, 15-14, 11-11), sfidë e vlefshme për Grupin B në Divizionin C, që po mbahet në Gjibraltar.