Shqipëria, festë e dyfishtë europiane me Kombëtaret U-16

Basketboll

Shqipëria, festë e dyfishtë europiane me Kombëtaret U-16

Më: 10 korrik 2024 Në ora: 12:11
Pamje nga ndeshja

Shqipëria ka patur dje një ditë mjaft pozitive në Kampionatet Europiane të basketbollit moshave, teksa ka marrë dy fitore në Divizionin C si me vajzat, gjithashtu edhe me djemtë.VAJZAT – Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Igli Zejno e ka filluar më këmbë të mbarë aventurën e saj në Divizionin C të Kampionatit Europian U-16 për vajza, event që po mbahet në Gjibraltar.

Kombëtarja kuqezi mundi Maltën me rezultatin 50- 43, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë. Shqipëria e udhëhoqi ndeshjen thuajse gjatë të gjithë kohës, për të marrë një sukses mëse të merituar.

Kështu vajzat kuqezi fituan periodën e parë 19- 11, ndërsa morën edhe çerekun e dytë 10-9, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 29- 20 në shifra të përgjithshme. Shqipëria zhvilloi lojë mjaft të mirë edhe në periodën e tretë, teksa fitoi 14-8, duke thelluar në 43-28 pas 30 minutash.

Malta provoi të rikuperonte në çerekun e katërt, duke e marrë këtë fraksion 7-15, por në shifra të përgjithshme suksesi i takoi Shqipërisë, me vajzat kuqezi që e mbyllin me festë ndeshjen debutuese. Lojtarja e ndeshjes u shpall Izebel Kaçorri, autore e 7 pikëve dhe 15 kërcimeve.

Spikatën gjithashtu edhe Sidorela Zyla me 10 pikë e 8 kërcime, Ema Çela me 12 pikë e 6 kërcime si dhe Aurora Dhedhes me 10 pikë. Sot në orën 13:00 Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e dytë në Grupin B, teksa përballë do të ketë Moldavinë.DJEMTË – Ndërkohë, në Tiranë dje kanë nisur sfidat e Divizionit C për Europianin U-16 të djemve, ndërsa Shqipëria ka debutuar me këmbë të mbarë. Kombëtarja e drejtuar nga Artur Kasaj mposhti Azerbajxhanin me rezultatin 60-56 (15-11, 10-12, 17-18, 18-15), takim i vlefshëm për Grupin A, i zhvilluar në sallën “Feti Borova”.

Një ndeshje tepër interesante dhe e luftuar deri në fund, me kuqezinjtë që morën triumfin e merituar të udhëhequr nga Genti Nilo, MVP me 23 pikë dhe 8 kërcime si dhe nga Preston White, autor i 13 pikëve dhe 7 kërcimeve.

Sot në orën 19:30 Shqipëria do të zbresë në parket për ndeshjen e dytë në grup, teksa përballë do të ketë Maltën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat