Shqipëria fiton me përmbysje ndaj Armenisë

Basketboll

Shqipëria fiton me përmbysje ndaj Armenisë

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 11:59
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e femrave në basketboll fitoi 70-64 ndaj Armenisë, në ndeshjen e dytë të Grupit B, në Kampionatit Europian të vendeve të vogla. Vajzat kuqëzi, të drejtuara nga trajneri Klaudio Ndoja, sigurojnë kështu një vend në gjysmëfinalet e këtij turneu që po zhvillohet në Prishtinë.

Ndeshja e luajtur në Kosovë ishte me dy pamje, më e mirë për armenet në pjesën e parë, që udhëheqin 32-26. Perioda e tretë nuk ndryshon diferencën prej 6 pikësh në favor të rivaleve tona (49-43), por në 10-minutëshin e fundit vjen përmbysja e madhe.

Në çerekun e katërt Shqipëria është me një frymë tjetër në fushë, duke përmbysur shifrat e duke fituar ajo me 6 pikë avantazh, 70-64. Qosja me 15 pikë, Semanjaku me 14 pikë e Lalaj me 13 pikë e 10 rebound, bënë diferencën në fushë për vajzat kuqezi.

Ndeshja e fundit në grup është ajo ndaj Norvegjisë (edhe ajo ka dy fitore), por kjo është një formalitet për Shqipërinë, që e ka siguruar kualifikimin.

Gjithsesi, vajzat shqiptare do të luajnë për fitore, për ta mbyllur fazën e grupeve pa asnjë humbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat