Shqipëria shkëlqen kundër Andorrës

Basketboll

Shqipëria shkëlqen kundër Andorrës

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 21:16
Shqipëria

Pas plot 15 vitesh pritjeje, që prej triumfit ndaj Maltës në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009”, Shqipëria është rikthyer të marrë një fitore me Kombëtaren e basketbollit të femrave në një ndeshje zyrtare.

Vajzat kuqezi e kanë nisur me këmbë të mbarë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të shteteve të vogla, event që ka startuar sot në Prishtinë.

Kombëtarja e drejtuar nga Klaudio Ndoja ka debutuar me një fitore të bukur ndaj Andorrës me rezultatin 74-58, takim i vlefshëm për Grupin B. Shqipëria zhvilloi një lojë shumë të mirë, ndërsa e bëri diferencën në periodën e dytë dhe sidomos në të tretën, duke marrë 2 pikët e para në kompeticionin e organizuar nga FIBA.

Kështu pas një periode të parë të mbyllur në ekuilibër të plotë 14-14, vajzat kuqezi morën kontrollin e sfidës dhe fituan 21-15 në 10-minutëshin e dytë, duke shkuar në pushimin e madh me epërsinë e 6 pikëve, 35-29.

Me rikthimin në parket Shqipëria e shton edhe më shumë dominim, teksa fiton 22-9 në periodën e tretë, duke thelluar në +19 pikë, 57-38, pas 30 minutash lojë. Çereku i fundit mbetet një formalitet, me Andorrën që e merr 17-20, por në rezulatin e përgjithshëm triumfi mbetet i salduar në shifrat 74-58 për Shqipërinë, ndërsa gjithçka mbyllet me festën e merituar në parket të vajzave kuqezi. MVP e ndeshjes u shpall Marinela Gjergji, autore e 12 pikëve, 3 kërcimeve dhe 4 asistimeve.

Shkëlqyen gjithashtu edhe Ornela Lalaj me 8 pikë dhe 13 kërcime, Enisa Qosja me 18 pikë, Marina Pëllumbi me 11 dhe Dajana Baraj me 10 pikë. Nesër në orën 18:00 Shqipëria do të rikthehet në parket për ndeshjen e dytë në grup kundër Armenisë, ndërsa pasnesër në orën 13:00 do të përballet me Norvegjinë për sfidën e fundit të Grupit B.

SHQIPËRI – ANDORRË   74-58 (14-14, 21-15, 22-9, 17-20)
Shqipëria: Baraj (10), Lalaj ( 8 ), Dishnica (5), Semanjaku (5), Qosja (18)/ Gjergji (12), Fekollari, Pëllumbi (11), Velias, Muça (3), Mala (2), Mollaj.
Trajner: Klaudio Ndoja
ANDORRA: Sobany (2) Mico (6), Laurent (11), Garcia (2), Guri (16)/ Rabasa (4), Perez (2), Collado (5), Brunet (4), Limones (6), Domene.
Trajner: Jose Rodriguez Vigo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat