Kina publikoi të dielën një dokument politikash ku detajon ambiciet e saj, që nga zhvillimi i industrive të përparuara te përmirësimi i mjedisit të biznesit. Analistët nuk parashikojnë ndonjë ndryshim strukturor së afërmi në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Publikimi i dokumentit prej 60 pikash pason mbledhjen me dyer të mbyllura të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, të udhëhequr nga presidenti Xi Jinping, që mbahet afërsisht çdo pesë vjet dhe njihet si plenum. Ajo u mbajt nga 15 deri në 18 korrik.
Kina përballet me probleme ekonomike brenda vendit dhe tensionet tregtare jashtë vendit ndërsa udhëheqësit globalë marrin masa kundër mbizotërimit të eksporteve të Kinës.
Këto sfida kanë bërë që disa ekonomistë t'i kërkojnë Pekinit që të përqendrohet tek rritja e kërkesës nga konsumatorët dhe të heqë dorë nga një model i nxitur nga borxhi dhe i drejtuar nga investimet, që i orienton burimet tek prodhimi dhe infrastruktura, në dëm të familjeve.
Potenciali i rritjes afatgjatë i Kinës është në rrezik, thonë ekonomistët. Por plenumi rikonfirmoi përkjekjet e Kinës për "forca të reja prodhuese", një synim i shprehur nga presidenti Xi vitin e kaluar, që bazohet në kërkimet shkencore dhe përmirësimet teknologjike të kompleksit masiv industrial të vendit./VOA