Izraeli rrëzon raketën e lëshuar nga Jemeni

Azia

Izraeli rrëzon raketën e lëshuar nga Jemeni

Më: 21 korrik 2024 Në ora: 21:23
Foto ilustrim

JERUZALEM – Ushtria izraelite njoftoi se interceptoi të dielën një raketë të lëshuar nga Jemeni, disa orë pasi avionët izraelitë patën goditur disa objektiva të grupit huthi në këtë vend të Gadishullit Arabik.

Sulmet ajrore izraelite, të bëra në kundërpërgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës me dron të huthive në Tel Aviv, ishin hera e parë që Izraeli i përgjigjet sulmeve të këtij grupi përgjatë nëntë muajve të luftës ndaj Hamasit. Shpërthimi i dhunës mes dy armiqve në distanca të mëdha gjeografike, rrezikon të çelë një front të ri, ndërsa Izraeli po përballet në rajon me disa organizata të mbështetura nga Irani.

Ushtria izraelite konfirmoi në orët e vona të së shtunës sulmet ajrore në qytetin port në perëndim të Jemenit, Hodeidah, një bastion i huthive dhe një pikë kyçe për kalimin e ndihmave dhe furnizimeve të tjera. Ushtria izralite tha se në sulmet e kryera nga dhjetëra avionë, u përfshinë avionë luftarakë F-15 dhe F-35 të prodhimit amerikan dhe se ishin një kundërpërgjigje ndaj qindra sulmeve të huthive.

Ministria e Shëndetësisë në Jemen tha se sulmet izraelite vranë gjashtë persona dhe plagosën 83 të tjerë, shumë prej të cilëve me djegie të rënda nga një zjarr i madh. Tre persona të tjerë nuk janë gjendur ende, tha ministria në një deklaratë të shpërndarë nga televizioni al-Masirah, që drejtohet nga grupi huthi.

Zëdhënësi i grupit huthi Mohammed Abdulsalam shkruajti në rrjetin X se "agresioni i hapur izraelit" kishte në shënjestër objektet e magazinimit të karburantit dhe centralin energjitik.

“Armiku izraelit i përzgjodhi objektivat në mënyrë specifike si pjesë e goditjes ndaj ekonomisë së Jemenit”, tha Abdul-Malek al-Houthi, udhëheqësi i rebelëve.

Ushtria izraelite tha se raketa e nisur të dielën nga një platformë tokësore u interceptua përpara se të arrinte në territorin izraelit.

Izraeli, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe aleatët e tjerë perëndimorë që kanë forca ushtarake në rajon, kanë interceptuar pothuajse të gjitha raketat dhe dronët e nisur nga grupi huthi. Por në orët e para të së premtes, një dron i grupit huthi depërtoi mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe u rrëzua në Tel Aviv, kryeqyteti tregtar dhe kulturor i Izraelit, duke vrarë një person.

Një zyrtar i forcave ajrore izraelite tha të shtunën se prej një gabimi njerëzor, droni ishte klasifikuar aksidentalisht si jo i rrezikshëm, ndërkohë që Izraeli po gjurmonte në të njëjtën kohë edhe disa dronë të tjerë të nisur nga Jemeni dhe që po i afroheshin Izraelit nga lindja.

Ushtria izraelite tha se sulmi ajror i së shtunës në Hodeibah, rreth 1700 kilometra larg Izraelit, ishte ndër operacionet më të komplikuara dhe në distancën më të largët. Ushtria tha se goditi portin për shkak se kjo zonë përdoret për furnizimin me armatimet iraniane.

Ministri i izraelit i Mbrojtes, Yoav Gallant, u zotua se do të ndërmerren sulme të ngjashme në të ardhmen “në çdo vend ku mund të jetë e nevojshme”.

Huthitë janë një ndër disa grupe që mbështeten nga Irani dhe që kanë sulmuar Izraelin në solidaritet me Hamasin, që nga sulmi i 7 tetorit kur grupi militant palestinez shkaktoi ofensivën izraelite në Gazë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat