Avionët izraelitë godasin objektiva në Jemen

Azia

Avionët izraelitë godasin objektiva në Jemen

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se avionët e saj luftarakë goditën objektiva ushtarake të grupit huthi në zonën e portit Hodeidah në Jemen, në kundërpërgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj Izraelit gjatë muajve të fundit.

Al-Masirah TV, kanali kryesor televiziv që drejtohet nga grupi huthi, raportoi se sulmet u bënë ndaj objekteve të hidrokarbureve në këtë port dhe se pati viktima.

Banorë të Hodeidahut i thanë nëpërmjet telefonit agjencisë së lajmeve Reuters se shpërthimet dëgjoheshin në mbarë qytetin gjatë bombardimeve intensive.

Të premten, një dron i prodhimit iranian me rreze të gjatë veprimi goditi në qendër të Tel Avivit. Grupi paraushtarak huthi mori autorësinë e sulmit. Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të emergjencës nga sulmi u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë.

Avionët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit goditën objektiva ushtarake të regjimit terrorist të huthive në zonën e portit në Jemen, në përgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj shtetit të Izraelit gjatë muajve të fundit”, tha ushtria izraelite.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Izraeli informoi aleatët përpara se të bënte sulmin të shtunën.

Grupi huthi i mbështetur nga Irani ka shtuar sulmet ndaj Izraelit dhe objektivave perëndimore, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët.

Ata filluan të sulmojnë anijet perëndimore në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, kur Izraeli sulmoi Rripin e Gazës pas sulmit vitin e kaluar të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor.

Një agresion brutal izraelit goditi godina civile, objekte të hidrokarbureve dhe centralin energjitik në Hodeidah, duke synuar të ushtrojë trysni ndaj Jemenit që të ndalë mbështetjen për Gazën... por sulmi vetëm sa do të shtojë vendosmërinë tonë, rezistencën dhe vazhdimësinë”, tha në një deklaratë në rrjetin X Mohammed Abdulsalam, kryenegociator i lëvizjes huthi.

Hamasi sulmoi qytetet izraelite në 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng në Gazë mbi 250 të tjerë, sipas përllogaritjeve të autoriteteve izraelite. Që nga ajo kohë, rreth 39 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmi izraelit në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve të shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat