Orë policore në Bangladesh pas përshkallëzimit të protestave të studentëve

Azia

Orë policore në Bangladesh pas përshkallëzimit të protestave të studentëve

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 10:50
Pamje nga djegia e makinave në Daka të Bangladeshit, në protestat e studentëve kundër kuotave për vende pune qeveritare.

Ushtarët në Bangladesh janë duke patrulluar të shtunën nëpër rrugët e kryeqytetit Daka, në zbatim e sipër të orës policore, përmes së cilës synohet ndalja e protestave vdekjeprurëse, të udhëhequra nga studentët që kundërshtojnë kuotat për vende pune qeveritare.

Në këto protesta janë vrarë të paktën 105 persona këtë javë.

Masa e bllokimit të internetit dhe shërbimeve për dërgim të mesazheve, është në fuqi prej të enjtes, duke izoluar kështu Bangladeshin nga pjesa tjetër e botës, teksa policia ka shtypur protestat, të cilat kanë vazhduar pavarësisht ndalesës për tubime publike.

Thirrjet telefonike jashtë shtetit nuk kanë mundur të realizohen, derisa misionet e huaja në Bangladesh nuk kanë arritur t’i përditësojnë të dhënat nëpër platformat e tyre.

Përveç të vdekurve, në përleshje janë plagosur mijëra njerëz, sipas të dhënave të spitaleve të Bangladeshit.

Për pesë ditë rresht, policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka gjuajtur granata, për t’i frikësuar protestuesit, derisa ata janë përleshur me personelin e sigurisë.

Protestat – më të mëdhatë prej kur kryeministrja Sheikh Hasina është rizgjedhur për një mandat të katërt këtë vit – janë nxitur prej shkallës së lartë të papunësisë në mesin e të rinjve, të cilët përbëjnë rreth një të pestën e këtij kombi të Azisë Jugore me 170 milionë banorë.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, Qeveria e Hasinas ka urdhëruar orën policore dhe e ka angazhuar ushtrinë.

Zemërimi kombëtar ka shpërthyer për shkak të kuotave kontroverse për punë qeveritare, përfshirë 30 për qind për familjet e atyre që kanë luftuar për të fituar pavarësinë prej Pakistanit.

Qeveria e Hasinas e ka rrëzuar sistemin e kuotave më 2018, mirëpo një gjykatë e ka rifuqizuar atë muajin e kaluar.

Shteti e ka apeluar vendimin dhe Gjykata Supreme do të marrë vendimin përfundimtar më 7 gusht.

Hasina ka anuluar udhëtimet për në Spanjë dhe Brazil, për shkak të protestave.

Grupet ndërkombëtare për të drejta të njeriut e kanë kritikuar vendimin për bllokim të internetit.

Bashkimi Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar për dhunën dhe humbjen e jetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat