Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu takoi të enjten forcat izraelite që ndodhen në Gazë në një vizitë të paparalajmëruar në pjesën jugore të rajonit, njoftoi zyra e tij. Vizita vjen vetëm disa ditë para se zoti Netanyahu të mbajë një fjalim para Kongresit amerikan.
Njoftimi për vizitën e kryeministrit Netanyahu në qytetin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës u dha disa orë pasi ministri izraelit për sigurinë kombëtare, që i takon krahut të djathtë të skajshëm, Itamar Ben-Gvir, vizitoi vendin më të ndieshëm të shenjtë në Jeruzalem. Veprimi i ministrit Ben-Gvir mund të ndërprejë negociatat e ndieshme që synojnë arritjen e një armëpushimi për luftën nëntë muajshe ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Udhëheqësi ultra-nacionalist i kolonëve Ben-Gvir, tha se ai shkoi në këtë vend të shenjtë për t’u lutur për kthimin e pengjeve izraelite “por pa një marrëveshje të pamatur, pa u dorëzuar.” Negociatorët izraelitë mbërrinë të mërkurën në Kajro për të punuar rreth bisedimeve.
John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, tha se politikanët izraelitë nuk duhet të ushqenin zjarrin pas vizitës së zotit Ben-Gvir në xhaminë Al-Aqsa.
"Do të vazhdojmë t'u bëjmë thirrje homologëve izraelitë të mos ndërmarrin veprime që ndezin pasionet apo që sjellin apo inkurajojnë aktivitet të dhunshëm, në një mënyrë apo në një tjetër", tha zoti Kirby.
Tensionet në këtë vend të shenjtë kanë nxitur valë dhune në të kaluarën. Ministria e Jashtme palestineze dënoi vizitën e zotit Ben-Gvir si një “ndërhyrje provokuese” që rrezikon status-kuon e brishtë në këtë vend në Jeruzalem,që hebrenjtë dhe myslimanët e konsiderojnë të shenjtë dhe simbol të rëndësishëm kombëtar.
Vizita e dy udhëheqësve u bën vetëm disa orë pasi parlamenti I Izraelit më shumicë dëmuese votash miratoi rezolutën që hedh poshtë krijimin e shtetit palestinez. Votimi, në një seancë të mbajtur gjatë tërë natës që vazhdoi deri të enjten në mëngjes, ishte simbolik dhe kishte për qëllim të dërgonte mesazh para udhëtimit të kryeministrit Netanyahu në Shtetet e Bashkuara.
Zyra e zotit Netanyahu njoftoi për vizitën e tij në Rafah vetëm pasi kryeministri ishte larguar nga territori palestinez, i shkatërruar nga lufta. Më vonë ai publikoi një deklaratë ku theksoi se “vetëm trysnia ushtarake na ndihmon të avancojmë marrëveshjen për pengjet.”
Forcat izraelite pushtuan Rafahun në fillim të muajit maj, duke detyruar 2 milionë palestinezë që strehoheshin atje të largohen. Qyteti Rafah, dikur një pikë e rëndësishme për futjen e ndihmave humanitare, tani është shndërruar në një qytet fantazmë me ndërtesa të shpuara me plumba, mure të rrënuara nga shpërthimet dhe dritare të thyera. Shumë pak civilë kanë mbetur në këtë qytet.
Udhëheqësit izraelitë kanë dhënë shenja se operacioni në Rafah është afër përfundimit – një hap që pritet të çojë drejt një faze të re, të një intenziteti më të ulët të luftës dhe që mund të përmirësojë rrethanat për një armëpushim. Në të kaluarën, Izraeli kishte deklaruar se Rafahu mbetet çerdhja e fundit e rëndësishme e Hamasit në Gazë.
Sulmet izraelite gjatë natës të enjten në pjesën qendrore të Gazës kanë të paktën 11 të vdekur, sipas organizatës së Mbrojtjes Civile, të udhëhequr nga Hamasi dhe spitaleve. Të paktën dy fëmijë dhe dy gra janë vrarë në sulmet ajrore ndaj një shtëpie dhe një veture.
Javëve të fundit. Izraeli i ka shpeshtuar sulmet në pjesën qendrore të Gazës, ku shumë palestinezë kanë ikur për t’u shmangur luftimeve nga pjesët e tjera të territorit. Ushtria izraelite tha se ka vënë në shënjestër një komandant të lartë të grupit militant palestinez Xhihadi Islamik në qytetin e Gazës dhe një komandant tjetër përgjegjës për sulmet në qytetin Shijaijah.
Ndërkohë që po qëndronte para kupollës së artë të xhamisë Al-Aksa, ministri Ben-Gvir tha të enjten se ai “po lutet dhe po punon shumë” për t’u siguruar që zoti Netanyahu nuk do t’i dorëzohet trysnisë ndërkombëtare dhe do të vazhdojë fushatën ushtarake në Gazë. Zoti Ben-Gvir ka vizituar shpesh këtë vend gjatë periudhave të konfliktit, duke nxitur reagim. Herën e fundit ai vizitoi këtë vend në muajin maj për të protestuar vendimin e shteteve që njohën njëanshëm shtetin palestinez.
Si ministër i sigurisë, zoti Ben-Gvir mbikçqyrë forcat policore të vendit. Si partner kryesor koalicioni, ai ka fuqinë që ta privojë zotin Netanyahu nga shumica parlamentare dhe ta detyrojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Të premten, Gjykata Ndërkombëtare Penale e OKB-së pritet të lëshoi një opinion këshillues mbi ligjshmërinë e okupimit 57 vjeçar të territoreve palestineze nga Izraeli, një rast ligjor që nuk lidhet me luftën aktuale ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Izraeli gjithashtu njoftoi se ka vrarë Mohammad Hamed Jabbara, komandantin e lartë të Grupit Islamik, të lidhur me Hamasin dhe grupet e tjera militante në Liban.
Lufta në Gazë, e cila u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e 38,600 personave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk bën dallimin ndërmjet viktimave në mesin e militantëve dhe civilëve. Lufta ka shkaktuar një katastrofë humanitare në Rripin e Gazës, duke zhvendosur shumicën e popullatës prej 2.3 milionë banorësh të territorit.
Një mijë e dyqind persona, shumica e të cilëve civilë u vranë si pasojë e sulmit të Hamasit dhe militantët morën peng edhe 250 persona. Rreth 120 prej tyre vazhdojnë të jenë në duar e militantëve, sipas autoriteteve izraelite që besojnë se rreth një e treta e tyre, kanë vdekur./VOA