IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

Azia

IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 12:53
Pamje nga kryeqyteti Maskat i Omanit.

Grupi militant Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë për sulmin e rrallë pranë një xhamie shiite në kryeqytetin e Omanit, Maskat.

Ai tha se tre pjesëtarë të tij ishin të përfshirë në sulmin e së martës me armë zjarri.

Gjashtë persona, përfshirë një polic, u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën, tha policia e Omanit.

Sipas saj, tre sulmuesit u vranë gjithashtu nga forcat e sigurisë.

Policia nuk dha detaje për identitetin e viktimave dhe të personave të armatosur.

Por, Pakistani tha se katër shtetas të tij janë në mesin e të vrarëve në sulmin pranë xhamisë Imami Ali.

India tha, gjithashtu, se një shtetas i saj është vrarë.

Shteti Islamik, që grumbullon militantë sunitë, ka sulmuar shpesh ceremonitë, procesionet dhe besimtarët shiitë në vende si Iraku, Afganistani dhe Pakistani.

Por, kurrë më parë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm në Oman, ku shiitët janë pakicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat