Gjykata izraelite vendos që burrat ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri

Azia

Gjykata izraelite vendos që burrat ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 12:06
Policia izraelite e largon një hebre ultra-ortodoks nga rruga gjatë një proteste kundër thirrjes në ushtri në Jerusalem, 2 qershor 2024.

Gjykata Supreme e Izraelit vendosi njëzëri të martën që ushtria izraelite të fillojë t’i thërrasë për shërbim në ushtri burrat ultra-ortodoksë.

Ky vendim mund të çojë në dështimin e koalicionit qeverisës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një kohë kur Izraeli është duke bërë luftë në Gazë.

Shumicës së burrave dhe grave hebraike në Izrael u kërkohet ta kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në moshën 18-vjeçare.

Por, ultra-ortodoksët, të cilët janë të fuqishëm politikisht, nuk detyroheshin ta kryenin shërbimin, nëse studionin në seminare fetare me orar të plotë. Përjashtimi i tyre nga kryerja e shërbimit zemëroi publikun e gjerë, posaçërisht në kohën kur qindra ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli dhe Hamasi duket se po pajtohen çdo herë e më pak për mënyrën se si duhet të zbatohet një marrëveshje e mundshme për armëpushim.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.

Komentet e Netanyahut gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit dhe të cilit disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”. Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, aleatit kryesor të tij.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat