Netanyahu pretendon sërish se SHBA-ja po vonon dërgesat e armëve

Azia

Netanyahu pretendon sërish se SHBA-ja po vonon dërgesat e armëve

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 14:26
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë kabinetit të tij të dielën që po vërehet “rënie dramatike” në dërgesat e armëve amerikane për përpjekjet e Izraelit në luftën në Gazë.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka mohuar këtë pretendim ditë më parë.

Deklarata e Netanyahut është parë si shenjë për rritje të tensioneve mes dy vendeve aleate.

Netanyahu i ka thënë kabinetit të tij se mungesat e para janë vërejtur katër muaj më parë, pa përmendur diçka konkrete, dhe se “disa pajisje kanë arritur në mënyrë sporadike, mirëpo municionet kanë mbetur mbrapa”.

Mospajtimet mes dy vendeve kanë të bëjnë me luftën në Gazë, kryesisht lidhur me qasjen e izraelitëve në këtë konflikt dhe për sigurinë e palestinezëve atje.

Presidenti Biden e ka vonuar dërgimin e disa bombave të rënda qysh prej majit, mirëpo administrata e tij i ka hedhur poshtë deklaratat e Netanyahut se bëhet fjalë edhe për dërgesa tjera.

“Pas asaj që kam dëgjuar në ditët e fundit, shpresoj dhe besoj që kjo çështje do të zgjidhjet shpejt”, ka thënë të dielën Netanyahu, pa dhënë më shumë hollësi.

Ai i ka bërë këto deklarata disa orë pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka udhëtuar në Uashington për t’u takuar me zyrtarë të lartë.

Lufta në Gazë, e nxitur nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – më 7 tetor në jug të Izraelit, ka sfiduar marrëdhëniet Izrael-SHBA, si kurrë më parë.

Në atë sulm janë vrarë rreth 1.200 izraelitë dhe janë marrë peng mbi 240 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë deklaron se prej nisjes së luftës janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Ndonëse SHBA-ja ka thënë se mbështet fuqishëm synimet e Izraelit për lirim të pengjeve dhe mposhtje të Hamasit, autoritetet amerikane janë të shqetësuara për numrin e viktimave palestineze dhe krizën humanitare të krijuar prej luftës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat