Gjykata Supreme përmbys dënimin me vdekje për reperin iranian

Azia

Gjykata Supreme përmbys dënimin me vdekje për reperin iranian

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 15:24
Reperi iranian, Toomaj Salehi.

Gjykata Supreme në Iran e ka përmbysur dënimin me vdekje kundër reperit Toomaj Salehi, ka bërë të ditur të shtunën avokati i tij.

Në prill, Salehi është dënuar me vdekje nga një gjykatë në Isfahan, nën akuzën “korrupsion në Tokë”, teksa ka qenë duke kryer një dënim tjetër me burgim, për pjesëmarrje në protestat e vitit 2022, që patën tronditur Iranin për disa muaj.

“Siç ishte pritur, Gjykata Supreme e ka shmangur një gabim gjyqësor të papërmirësueshëm”, ka thënë avokati i Salehit, Amir Raisian, në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Dënimi me vdekje është përmbysur dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, rasti do të referohet te një degë paralele për rishqyrtim”.

Salehi, 33-vjeçar, është arrestuar për herë të parë në tetor të vitit 2022, pasi është deklaruar publikisht në mbështetje të protestave që kanë shpërthyer në shtator të atij viti, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjaçares, e cila vdekur sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Ai është liruar dhe riarrestuar disa herë prej atëherë, për shkak të vendimeve të ndryshme që kanë marrë gjykatat.

Salehi ka fituar vëmendje për tekstet e këngëve të tij, me tema kundër korrupsionit, varfërisë, ekzekutimeve dhe vrasjes së protestuesve në Iran.

Ai, gjithashtu, ka folur edhe për rritjen e dallimeve mes banorëve iranianë dhe udhëheqësisë së shtetit, duke akuzuar autoritetet se kanë “ngufatur” njerëzit, pa pasur parasysh mirëqenien.REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat