Izraeli intensifikon bombardimet në mbarë Gazën

Azia

Izraeli intensifikon bombardimet në mbarë Gazën

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 12:19
Rripi i Gazës. 18 qershor 2024.

Forcat izraelite kanë bombarduar Rafahun dhe zonat e tjera në mbarë Rripin e Gazës dhe janë përfshirë në luftime nga afër me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha ushtria izraelite dhe banorët.

Banorët thanë se forcat izraelite duket se po tentojnë të përfundojnë kapjen e Rafahut, qytetit më jugor të Gazës i cili ka qenë në fokus të sulmeve izraelite që nga fillimi i majit.

Tanket izraelite po vazhdojnë të përparojnë në pjesët veriore dhe perëndimore të qytetit, teksa Izraeli deri më tani ka arritur të marrë kontrollin e pjesës lindore, qendrore dhe jugore të Rafahut.

Sulmet e fundit izraelite nga toka, ajri dhe deti, po detyrojnë më shumë banorë që të zhvendosen nga qyteti.

Mbi një milion persona ishin zhvendosur në Rafah për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës dhe ata sërish po detyrohen të zhvendosen.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 12 persona u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelite më 21 qershor.

Ndërkaq, ushtria izraelite tha se forcat e saj po kryejnë veprime “precize” në zonën e Rafahut, ku trupat janë përfshirë në luftime nga afër. Ushtria tha se ka lokalizuar tunele që janë përdorur nga radikalët e Hamasit, duke shtuar se veprime ushtarake po kryhen edhe në pjesë të tjera të Gazës.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 37.000 persona dhe pothuajse e gjithë popullsia, prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave, është zhvendosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat