Fundoset një anije që u sulmua nga rebelët Huthi në Detin e Kuq

Azia

Fundoset një anije që u sulmua nga rebelët Huthi në Detin e Kuq

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 11:13
Fundosja e anijes Rubymar në Detin e Kuq më 7 mars 2024. Fotografi ilustruese.

Një anije transportuese u fundos në Detin e Kuq, pas një sulmi nga rebelët jemenas Huthi që besohet se vranë një marinar në bord, thanë autoritetet më 19 qershor.

Kjo është anija e dytë që është fundosur që kur rebelët nisën fushatën e sulmeve të tyre fundin e vitit të kaluar.

Fundosja e anijes Tutor në Detin e Kuq shënon atë që duket se është përshkallëzimi i ri nga rebelët, që mbështeten nga Irani, në fushatën e tyre për të shënjestruar anijet që kalojnë përmes korridorit të rëndësishëm detar.

Rebelët Huthi nisën sulmet e tyre nëntorin e vitit të kaluar për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Sulmi ndaj kësaj anijeje vjen pavarësisht një fushate në rajon të udhëhequr nga SHBA-ja, kur janë zhvilluar luftimet më intensive detare që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa rebelët kryejnë sulme pothuajse në baza ditore ndaj anijeve komerciale dhe luftanijeve.

Anija Tutor, e regjistruar në Liberi, por në pronësi greke, u fundos në Detin e Kuq, tha Marina e Mbretërisë së Bashkuar, teksa lëshoi një paralajmërim për marinarët në rajon.

“Autoritetet ushtarake raportojnë se janë parë fragmente të anijes në vendin ku së fundi është raportuar se gjendet ajo. Anija besohet se është fundosur”, tha Mbretëria e Bashkuar.

Rebelët Huthi ende nuk kanë konfirmuar fundosjen e anijes, ndërkaq ushtria amerikane po ashtu nuk ka komentuar për këtë rast.

Anija Tutor u sulmua rreth një javë më parë nga dronët e rebelëve Huthi. Të hënën, këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kibry, tha se gjatë sulmit është vrarë “një anëtar i ekuipazhit nga Filipinet”.

Rebelët Huthi kanë kryer më shumë se 50 sulme ndaj anijeve, duke vrarë katër marinarë. Ata kanë kapur një anije dhe që nga nëntori kanë fundosur dy të tjera. Ndërkaq, fushata ajrore, që udhëhiqet nga SHBA-ja kundër rebelëve jemenas ka nisur në janar të këtij viti./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat