Izraeli “mund të ketë shkelur ligjet e luftës” gjatë fushatës ushtarake në Gazë

Azia

Izraeli “mund të ketë shkelur ligjet e luftës” gjatë fushatës ushtarake në Gazë

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 11:12
Një autoblindë e ushtrisë izraelite në zonën në kufi me Rripin e Gazës. 9 qershor 2024.

Forcat izraelite në mënyrë të përsëritur mund të kenë shkelur ligjet e luftës dhe kanë dështuar që të bëjnë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve gjatë fushatës së tyre ushtarake në Rripin e Gazës, tha Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara.

Në një raport, që ka analizuar gjashtë sulme izraelite që kanë shkaktuar numër të lartë të viktimave dhe shkatërrim të infrastrukturës civile, Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se forcat izraelite “mund të kenë shkelur në mënyrë sistematike parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave parandaluese në sulm”.

“Kërkesa për të zgjedhur mjetet dhe metodat e luftës që shmangin ose të paktën minimizojnë në çdo masë dëmin e civilëve duket se në mënyrë të vazhdueshme është shkelur gjatë fushatës bombarduese të Izraelit”, tha Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit ka vrarë më shumë se 37.000 persona në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore në këtë enklavë.

Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake pasi luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Javën e kaluar, Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së tha se vrasja e civilëve gjatë operacionit izraelit për të liruar katër pengje mund të përbëjë krim lufte, por po ashtu krim lufte mund të jetë edhe mbajtja e civilëve nga Hamasi në zona të populluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat