Si do të ndikojë shpërbërja e kabinetit izraelit të luftës në përpjekjet për armëpushim?

Azia

Si do të ndikojë shpërbërja e kabinetit izraelit të luftës në përpjekjet për armëpushim?

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 12:17
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu (majtas), ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant (në mes), dhe ministri i kabinetit Benny Gantz, në një konferencë shtypi në bazën ushtarake Kirya në Tel Aviv, Izrael, më 28 tetor 2023.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpërbëri kabinetin e tij të luftës, të hënën, një hap që konsolidon ndikimin e tij mbi luftën Izrael-Hamas dhe me gjasë zbeh shanset për një armëpushim në Rripin e Gazës në një të ardhme të afërt.

Netanyahu njoftoi për vendimin e tij disa ditë pasi kryerivali i tij politik, Benny Gantz, u tërhoq nga kabineti prej tre anëtarësh i luftës. Gantz, gjeneral i pensionuar dhe deputet i Parlamentit, shihej gjerësisht si zë më i moderuar.

Politikat e mëdha të luftës tani do të aprovohen vetëm nga kabineti i sigurisë i Netanyahut – një organizëm më i madh që dominohet nga figura të linjës së ashpër, që kundërshtojnë propozimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një armëpushim dhe duan vazhdimin e luftës.

Netanyahu pritet të konsultohet për disa vendime me aleatët e ngushtë në takime ad-hoc, ka thënë një zyrtar izraelit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, për shkak se nuk kishte autorizim të fliste për media.

Këto takime prapa dyerve të mbyllura mund të zbehin ndikimin e disa prej figurave të linjës së ashpër. Por, vetë Netanyahu ka treguar pak entuziazëm për planin e armëpushimit, dhe varësia e tij nga kabineti i plotë i sigurisë mund t’i ofrojë atij mbulim për ta vonuar vendimin.

I hedhim një vështrim kabinetit të luftës, dhe asaj se çfarë nënkupton shpërbërja e tij për armëpushimin:

Pse Gantz iu bashkua kabinetit të luftës dhe pastaj u largua nga ai?

Kabineti i luftës ishte formuar pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi – grupi radikal palestinez, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – kur Gantz, udhëheqës i një partie opozitare, iu bashkua Netanyahut dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në shenjë uniteti.

Gantz kishte kërkuar që luftën ta udhëhiqte një organizëm i vogël vendimmarrës, në përpjekje për të mënjanuar ekstremistët djathtistë të Qeverisë së Netanyahut.

Por, Gantz la kabinetin më herët këtë muaj, pas rritjes së tensioneve përgjatë muajve të fundit rreth strategjisë së Izraelit në Gazë.

Ai tha se ishte mërzitur nga mungesa e përparimit në kthimin e dhjetëra pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi. Ai akuzoi Netanyahun për zgjatjen e luftës për të shmangur zgjedhjet e reja dhe gjykimin ndaj tij për korrupsion. Ai i bëri thirrje Netanyahut ta mbështesë një plan që – mes pikave të tjera – do të shpëtonte të rrëmbyerit dhe do t’i jepte fund sundimit të Hamasit në Gazë.

Kur Netanyahu nuk shprehu mbështetjen e tij për planin, Gantz bëri të ditur se po largohej. Ai tha se “vendimet e rëndësishme strategjike” në kabinet po “ndesheshin me hezitim dhe me zvarritje për shkak të kalkulimeve politike”.

Si pritet të ndryshojnë politikat e kohës së luftës në Izrael?

Shpërbërja e kabinetit të luftës vetëm sa e distancon Netanyahun nga politikanët centristë, të cilët janë më të hapur për një marrëveshje armëpushimi me Hamasin.

Bisedimet disamuajshe për armëpushim kanë dështuar të sigurojnë marrëveshje ndërmjet udhëheqësve të Hamasit dhe atyre të Izraelit. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, kanë refuzuar ta mbështesin plotësisht një plan të mbështetur nga SHBA-ja, i cili do të kthente pengjet, do t’i hapte rrugë përfundimit të luftës, dhe do të niste një përpjekje për rindërtimin e territorit të shkretuar.

Netanyahu tani do të varet nga anëtarët e kabinetit të tij të sigurisë, disa prej të cilëve i kundërshtojnë marrëveshjet për armëpushim dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për ripushtimin e Gazës.

Pas largimit të Gantzit, ministri ultranacionalist i Sigurisë i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, kërkoi përfshirjen e tij në një kabinet të ri lufte. Vendimi i 17 qershorit për shpërbërjen e kabinetit mund ta mbajë paksa larg Ben-Gvirin, por jo edhe ta mënjanojë atë krejtësisht.

Ky hap i jep Netanyahut, po ashtu, mundësi për ta zgjatur luftën për të qëndruar në pushtet. Kritikët e Netanyahut e akuzojnë atë për zvarritje, sepse fundi i luftës do të sillte hetimin ndaj dështimeve të Qeverisë rreth sulmit të 7 tetorit, dhe do të rriste gjasat për zgjedhje të reja, në një kohë kur popullariteti i kryeministrit është i ulët.

“Ai do t’i marrë të gjitha vendimet vetë, apo me njerëzit, të cilët ai llogarit se nuk do ta kundërshtojnë”, ka thënë Gideon Rahat, kryetar i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. “Dhe, atij i intereson të ketë një luftë të ngadalshme”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat