RS Q8 Performance i ri është SUV-i më i fuqishëm i Audi

Auto

RS Q8 Performance i ri është SUV-i më i fuqishëm i Audi

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 23:29
Foto ilustrim

Rreth nëntë muaj pas prezantimit të modelit të ridizajnuar Audi Q8, kanë mbërritur dy versione të reja të SUV-it gjerman.

I pari është RS Q8 i rifreskuar dhe i dyti është RS Q8 Performance si SUV-i më i fuqishëm i Audi ndonjëherë, i cili përdor një motor me djegie të brendshme.

Audi RS Q8 Performance sapo ka vendosur një rekord të ri në pistën e Nurburgring, ku përfundoi xhiron me kohën 7:36.698.

Të dy versionet e Audi RS Q8 të përmirësuar fuqizohen nga një motor V8 4-litërsh me twin-turbo, i cili në rastin e modelit bazë zhvillon 600 kuaj fuqi.

E mjaftueshme që SUV të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h në 3.8 sekonda dhe të arrijë një shpejtësi maksimale të kufizuar elektronikisht prej 250 km/h.

Ata që kërkojnë edhe më shumë fuqi mund të zgjedhin modelin e ri RS Q8 Performance, i cili jep 641 kuaj fuqi. Ai arrin 100 për 3.6 sekonda dhe përshpejton në maksimum 280 km/h.

Audi thekson se është motori më i fuqishëm i prodhuar në mënyrë serike në historinë e kompanisë. Përveç modifikimeve të motorit, RS Q8 Performance ka edhe një sistem unik shkarkimi, për ta bërë tingullin edhe më agresiv.

V8 i fuqishëm lidhet me një ndërrues Tiptronic me tetë shpejtësi dhe bën tërheqje me të gjitha rrotat – Quattro . Gjithashtu, të dy modelet kanë një diferencial qendror mekanik dhe një pezullim ajri adaptiv që mund të rregullojë lartësinë e veturës deri në 90 milimetra.

Një SUV i madh si ky duhet të jetë i manovrueshëm dhe i qëndrueshëm, ndaj Audi e ka pajisur atë me një sistem stabilizimi aktiv elektromekanik për të reduktuar lëvizjet anësore të trupit.

Ky sistem përbëhet nga dy motorë elektrikë të vegjël të pozicionuar midis dy gjysmave të stabilizatorit, të cilat janë të ndara për të reduktuar rrotullimin e trupit në rrugë të vështira.

Kur vetura kthehet, motori aktivizon stabilizuesit në drejtim të kundërt, duke zvogëluar rrotullimin. Përveç kësaj, të gjitha modelet RS Q8 kanë si standard një sistem drejtimi me të gjitha rrotat.

Audi ka instaluar disqe masive me diametër 420 mm, ndërsa 370 mm në pjesën e pasme. RS Q8 Performance ka disqe qeramike karboni 440 mm përpara dhe 370 mm të pasme si pajisje standarde. Versioni Performance është gjithashtu i disponueshëm ekskluzivisht me fellne 23 inç që janë më të lehta.

Sa i përket ngjyrave, tre opsione të reja metalike janë në dispozicion për modelet e reja, përkatësisht Sakhir Gold, Ascari Blue dhe Chili Red.

RS Q8 standarde përmban gjithashtu detaje të zeza me shkëlqim, të cilat përfshijnë mbulesat e pasqyrave, spoilerin e përparmë, detajimin e dritareve dhe difuzorin e pasmë, ndërsa RS Q8 Performance përmban pasqyra mat karboni, elementë spoileri të përparmë dhe një difuzor gri mat.

Shitjet në Evropë fillojnë këtë muaj, RS Q8 kushton të paktën 141,900 euro, ndërsa RS Q8 Performance do të kushtojë të paktën 155,700 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat