Gega bën garë e vetme në pistë

Atletika

Gega bën garë e vetme në pistë

Më: 14 qershor 2024 Në ora: 12:43
Luiza Gega

Kampionati kombëtar i atletikës ka ngritur dje siparin e edicionit të 86-të me garat e ditës së parë të zhvilluara në stadiumin “Elbasan Arena”, terren që është shndërruar në shtëpinë e atletikës shqiptare gjatë dekadës të fundit.

Në këto gara marrin pjesë 17 skuadra me qindra sportistë meshkuj dhe femra, ndërsa në ditën e parë u shpallën fituesit në 15 disiplina, por nuk u thye asnjë rekord kombëtar.

Në gara morën pjesë edhe atletët elitarë të vendit tonë si Luiza Gega apo Izmir Smajlaj. Ditën e sotme do të mbahen edhe disiplinat e tjera, në të cilën në fund do të shpallen sportistët më të aktivitetit si dhe ekipet kampione.

GARAT – Sa i përket rezultateve për çdo disiplinë, në hedhjen e shtizës dolën të parët sportistët e Teutës dhe Tiranës, respektivisht Ingri Nelaj dhe Mei Sokoli. Adriatik Hoxha i Teutës zuri vendin e parë në hedhjen e diskut. Për të vijuar më pas me kërcimin së gjati, aty ku e para doli sportistja e Vllaznisë, Erisa Rrasa. Te meshkujt vendi i parë i takoi Izmir Smajlajt.

Në kërcimin së larti vendin e parë e zuri Glenis Haxhiaj i Vllaznisë. Për të vazhduar më pas me garat e shpejtësisë me pengesa, aty ku spikatën sportistët e Skënderbeut. Respektivisht në garën e 110 metrave me pengesa i pari doli Milen Caco, ndërsa në 100 metra me pengesa triumfoi Uibi Ahmet. Endri Rakaj i Vllaznisë e përshkoi më shpejt distancën e 100 metrave, duke zënë kështu edhe vendin e parë.

Në garat e 400 metrave kampionë u shpallën Franko Burraj i Vllaznisë dhe Iljana Beqiri e Tiranës. Daniel Ndoj i Partizanit zuri vendin e parë në garën e 800 metrave. Relaksa Dauti e përshkoi më shpejt garën e 1500 metrave, duke ia dalë në fund të zërë edhe vendin e parë.

Luiza Gega si gjithnjë garoi e vetme në garën e 3000 mijë metrave, rrjedhimisht duke marrë edhe vendin e parë. E njëjta situatë ishte edhe në garat e 3000 metrave me pengesa, me dy sportistët e Tiranës, Bledar Mesi dhe Redia Dauti që në fund morën medaljet e vendit të parë.

Në atë të 5000 metrave, vendi i parë i takoi David Nikollit të Partizanit. Sa i përket stafetave të 4×100, për meshkuj triumfi Vllaznia, ndërsa te femrat suksesi shkoi për Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat