“Romë 2024”, Luiza Gega është e pesta në Europë

Atletika

“Romë 2024”, Luiza Gega është e pesta në Europë

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 11:27
Foto ilustrim

Luiza Gega e ka mbyllur me një vend të pestë garën e 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian të atletikës, eveniment që po mbahet në Romë që prej datës 7 qershor.

Pasi kishte siguruar të premten kualifikimin për në finale, Gega zbriti në pistë mbrëmjen e djeshme në kërkim të medaljes, teksa futej në garë me petkun e kampiones në fuqi të Europës. Gega mbajti ritmin me kreun për më shumë se 3/4 e garës, por në fund kampionia jonë nuk arriti që të qëndronte në zonën e medaljeve, edhe pse shënoi rezultatin më të mirë sezonal. Kështu Gega regjistroi kohën 9:22.92, duke u klasifikuar në vend të pestë, për të dorëzuar kurorën e kampiones së Europës, të cilën e mbante prej 2 vitesh.

Megjithatë Luiza vijon të mbajë rekordin e Kampionatin Europian në garën e 3000 metrave me pengesa, falë rezultatit të jashtëzakonshëm që fiksoi në “Mynih 2022”. Për sa i përket finales së mbrëmshme në Stadiumin Olimpik të Romës, në finish e para mbërriti francezja Alice Finot, e cila fiksoi kohën 9:16.22, rezultatin më të mirë të sezonit në Europë. Por Finot fillimisht u s’kualifikua për faull, për shkelje dy herë të vijës së brendshme. Megjithatë pas apelimit, francezes iu rikthye vendi i parë dhe medalje e artë. Vendi i dytë dhe medalja e argjendit shkuan për gjermanen Gesa Grause me kohën 9:18.06, ndërsa medalja e bronzit u fitua nga britanikja Elizabeth Bird, me kohën 9:18.39, rezultati më i mirë sezonal për të. Keniania e natyralizuar rumune, Stella Rutto, fiksoi rekordin personal, duke e ndaluar kronometrin në kohën 9:22.36, për tu klasifikuar e katërta.

Me Gegën në vend të pestë, top-10 e Kampionatit Europian më tej vijon sipas radhës me finlandezen Ilona Mononen (9:23.28) në vend të gjashtë, me polaken Alicja Konieczek (9:23.28) në vend të shtatë, spanjollja Carolina Robles (9:23.75) në vend të tetë, gjermania Lea Meyer (9:27.85) në vend të nëntë dhe spanjollja Irene Sanchez-Escribano (9:27.37) në vend të dhjetë. Duke u kthyer te kampionia jonë, pas Europianit, Luiza Gegën e presin Lojërat Olimpike “Paris 2024”, evenimenti më madhor sportiv, që do të mbahet nga 26 korriku deri më 11 gusht në kryeqytetin francez, ku 35-vjeçarja shqiptare shkon e kualifikuar me normë.

Ndërkohë na Kampionatin Europian të atletikës që po mbahet në Romë, për Shqipërinë ka garuar edhe Izmir Smajlaj në disiplinën e kërcimit për së gjati. Atleti shkodran, cili rikthehej në evente prestigjioze pas dëmtimit të rëndë, nuk mundi që ti kalonte kualifikueset. Smajlaj regjistroi rezultatin më të mirë sezonal, duke kërcyer 7.78 metra në eliminatore, por që nuk i mjaftoi për të kaluar në fazën finale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat