​Rrëfimi i atletit Grevist Bytyqi, nga fatkeqësia e rëndë jetësore tek synimi për medalje në Paris

Atletika

​Rrëfimi i atletit Grevist Bytyqi, nga fatkeqësia e rëndë jetësore tek synimi për medalje në Paris

Më: 9 qershor 2024 Në ora: 10:58
Grevist Bytyqi

Nga 28 gushti e deri më 8 shtator të këtij viti, Kosova do të marrë pjesë edhe në Lojërat Paralimpike në Paris. Në sportin e atletikës, shteti ynë atje do të përfaqësohet nga atleti nga Malisheva, Grevist Bytyqi.

Përgatitjet për pjesëmarrje në këtë garë kaq të rëndësishme tashmë janë në intensitetin më të lartë me Bytyqin që së bashku me trajnerin e tij Ardian Mazreku po punojnë me përkushtimin më të madh.

Por, historia e Grevistit nuk është sikur e çdo. Ai në moshën 11 vjeçare u godit nga një fatkeqësi e rëndë që e la pa dorën e tij të djathtë.

Bytyqi: Në fund të vitit 2021 aksidentalisht humba dorën

“Në vitin 2001, afër 2002-shit kam pasur një aksident në Prishtinë. Në lagjen “Lakrishtë” kemi qenë duke luajtur futboll me disa djem të dajës aty dhe për fat të keq tensioni i lartë ishte ne kemi hyrë për të marrë topin, e kam prekur pa dashje dhe ka ndodhur aksident... Ka qenë trafo me kabinë, ka hyrë për ta marrë topin, pastaj ajo kishte pasur masë dhe ka kërcitur...Për familjen ishte shumë e vështirë, nuk donin ta pranonin, por nuk u bë kjo punë sepse dora ishte djegur komplet dhe u desh ta amputohej, pra të këputej”, tha fillimisht Bytyqi.

Ai pranon se kjo ia vështirësoi vazhdimësinë, por vullneti i madh bëri që ai të vazhdojë në ndjekjen e ëndrrës së tij.

Bytyqi: Vullneti i madh që kam më ka sjellë deri këtu

“Të them të drejtën e ka vështirësuar shumë, por me vullnetin e madh, përkrahjen e familjes, të trajnerit nuk më kanë lënë anash kurrë dhe kam arritur deri këtu”, thotë tutje Bytyqi.

Tashmë kur Grevisti u ka bërë ballë të gjitha sfidave, ai shkon në Paris me një synim të madh.

Bytyqi: Në Paris shkoj me motivin e madh për të arritur rezultat të mirë

“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë, jemi duke bërë stërvitje dy herë në ditë...Motivimi është shumë i madh sepse këtë mundësi e kemi pritur tash e tetë vite, jemi duke u përgatitur për të shkuar tani në lojërat Parisi 2024 dhe shpresojmë të kemi një rezultat sa më të mirë...Besim kam shumë të madh, sidomos tek profesori Ardian i cili bën një punë të palodhshme për mua dhe të gjithë klubin. Konkurrenca është e fortë, por do të mundohemi, shpresojmë që do t’ia dalim”, theksoi Bytyqi.

Nga ana tjetër, trajneri Bytyqit, Adrian Mazreku ka bërë të ditur se në Lojërat Paralimpike, ai do të përballet me një konkurrencë shumë të fuqishme.

Mazreku: Bytyqi do të garojë në kategorinë me konkurrencën më të fortë

“Ne ishim në një garë kualifikuese që ishte në Dubai në muajin shkurt dhe aty e kemi bërë klasifikimin zyrtar për Grevistin që do të garojë në kategorinë T46 sepse këtu ka specifika të ndryshme, ndahen në shumë kategori, prandaj Grevisti do të jetë në kategorinë 46 ku konkurrenca është mjaftë e fortë dhe e ashpër...Gjithsesi ne do të jemi atje dhe do të bëjmë më të mirën të mundshme por konkurrenca e bën të veten”, theksoi Mazreku.

Por, ai pranon se Grevisti ka një motiv tejet të lartë, gjë të cilën ai thotë se po ta kishin atletët tjerë, do të arrinin rezultate kulminante në atletikë.

Mazreku: Atletët tjerë po ta kishin motivin e Grevistit do të arrinin shumë

“Me motivin e tij, nëse atletët e tjerë e kanë motivin e Grevistit, ata do të arrinin shumë më tepër. Puna e parë, Grevisti ka një motiv të jashtëzakonshëm për të punuar dhe unë nuk ka dyshuar fare te Grevisti, por në këto tri vitet e fundit është vërejtur një gatishmëri shtesë sepse shihej që pranimi në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar do të ndodh dhe motivi është rritur në këto tre apo katër vitet e fundit edhe më tepër që të dalim sa më mirë në garat ndërkombëtare”, tha Mazreku.

Në fund, Mazreku shtoi se lojërat në Paris nuk do të sjellin fundin e karrierës së Bytyqit, pasi me fizikun që ka, ai mund të marrë pjesë edhe në shumë gara ndërkombëtare në vitet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat