Naser Nika: “Pse po heshtin shoqatat shqiptare në NY?”

Amerika

Naser Nika: “Pse po heshtin shoqatat shqiptare në NY?”

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 15:39
Naser Nika

Ai është një bashkatdhetar i njohur dhe jo vetëm për aktivitetet e njohura artistike e kulturore që organizon por nuk hesht edhe për atë që ndodh në origjinën e tij nga ana e Malit në Ulqin megjithëse jeton në Amerikën e largët. Është fjala për Naser Nika i cili është shqetësuat për heshtjen e shoqatave shqiptare në Nju Jork në lidhje me festimin e Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi nga një shoqatë shqiptare.

Ai thotë : "I dashur komunitet shqiptar në New York,

Si një anëtar i përkushtuar i komunitetit tonë, dëshiroj të shpreh shqetësimin tim të thellë për heshtjen e shoqatave shqiptare në lidhje me festimin e Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi nga një shoqatë shqiptare. Është e papranueshme që të festojmë pavarësinë e një shteti ku shqiptarët përballen me fyerje dhe diskriminim të përditshëm.

Si është e mundur që një shoqatë shqiptare të festojë dhe të përhapë gënjeshtra se gëzojmë të drejta të barabarta, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe? Ky akt i turpshëm është një tallje me vuajtjet dhe luftën tonë për të drejta të barabarta.

Heshtja e shoqatave të tjera është shqetësuese dhe ngrit shumë dyshime. A është e mundur që këto shoqata të jenë në të njëjtën mendje me atë që bëri "Shoqata Ulqini"? Ne nuk mund të pranojmë bashkëpunim me shoqata që injorojnë realitetin dhe përhapin dezinformata në dëm të komunitetit tonë.

Është koha që të gjithë shqiptarët e vërtetë, që ndihen shqiptarë dhe jo vetëm shqipfolës, të zgjohen nga gjumi. Duhet të sigurohemi që fëmijët tanë të mësojnë historinë e vërtetë dhe të drejtat e tyre, dhe të mos manipulohen nga ata që kanë interesa të ndryshme. Duhet të jemi vigjilentë dhe të mos lejojmë që komuniteti ynë të përçahet nga ndikime të jashtme.

Bëj thirrje që të distancohemi nga çdo shoqatë që kryen akte të tilla të turpshme dhe të mbështesim vetëm ato që mbrojnë të drejtat dhe interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Mediat që e trajtojnë këtë ngjarje si të bukur duhet të kuptojnë realitetin dhe të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Është koha që të qëndrojmë të bashkuar dhe të mbrojmë identitetin dhe të drejtat tona si shqiptarë. Vetëm kështu mund të sigurojmë një të ardhme të ndritur për komunitetin tonë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat