Zyrtarët republikanë kanë akuzuar liderin ukrainas Volodymyyr Zelensky për ndërhyrje në politikën elektorale të SHBA-së dhe se ka bërë “fushatë” për kandidaten presidenciale Kamala Harris, pasi ai vizitoi një fabrikë armësh në shtetin e Pensilvanisë.
Guvernatori demokrat Josh Shapiro i bëri Zelenskyt një tur në Uzinën e Municioneve të Ushtrisë Scranton gjatë fundjavës, ku të dy nënshkruan predha artilerie 155 mm që me sa duket do t’u dërgohen trupave ukrainase.
Zyrtarët republikanë kanë kritikuar foton, si dhe intervistën e fundit të Zelensky me revistën New Yorker, në të cilën ai kritikoi ish-presidentin Donald Trump dhe senatorin e Ohajos JD Vance, të nominuarit e partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Zelensky po bën fushatë hapur për demokratët në fushën e betejës në Pensilvani sot, rreth 50 ditë pas zgjedhjeve tona presidenciale. Joreale,” shkroi Senatori i Misurit Eric Schmitt në X.
Përfaqësuesi i Pensilvanisë, John Joyce, i tha një radioje lokale të martën se vizita ishte “një marifet politik”, duke gjykuar nga koha e “dyshuar” e saj .
Një grup prej nëntë përfaqësuesish të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga Lance Gooden nga Teksasi kanë bërë thirrje për një hetim mbi vizitën e Zelensky. Udhëheqësi ukrainas u nis në Pensilvani me një aeroplan ushtarak C-17 të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe iu ofrua mbrojtje e Shërbimit Sekret, të cilat ishin paguar me paratë e taksapaguesve amerikanë, thanë ligjvënësit republikanë në një letër drejtuar Inspektorit të Përgjithshëm të Pentagonit, Robert Storch.
“Ekziston shqetësimi se këto burime janë përdorur për qëllime që nuk lidhen me sigurinë kombëtare të SHBA-së apo diplomacinë dypalëshe, por për të mbështetur një vizitë të rëndësishme politikisht përpara zgjedhjeve të mëdha në SHBA”, thuhej në letrën, e cila u nda me Washington Examiner.