Dëshmia e Drejtoreshës së Shërbimit Sekret nuk u jep përgjigje paqartësive për atentatin ndaj ish-presidentit Trump

Amerika

Dëshmia e Drejtoreshës së Shërbimit Sekret nuk u jep përgjigje paqartësive për atentatin ndaj ish-presidentit Trump

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 15:56
Kimberly Cheatle

Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle, u përball të hënën me thirrjet për të dhënë dorëheqjen nga ligjvënësit e të dyja palëve, ndërsa pranoi në një seancë në Kongres se atentati ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump, ishte dështimi më i madh i agjencisë ndër dekada.

Nëntë ditë pas atentatit që tronditi vendin ende nuk është e qartë se si arriti autori të afrohej aq pranë zotit Trump.

Shefja e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara Kimberly Cheatle -- duke iu përgjigjur për herë të parë pyetjeve të ligjvënësve për ngjarjen – foli prerë.

"Ne dështuam", tha ajo.

Drejtoresha Cheatle tha se agjencia do të vërë në dispozicion brenda 90 ditëve një raport të plotë mbi dështimin e agjencisë për të mbrojtur ish-presidentin. Ligjvënësit thanë se kjo është e papranueshme në një sezon zgjedhor me polarizim të thellë. Disa prej tyre kërkuan dorëheqjen e saj.

“Misioni i Shërbimit Sekret është të mos dështojë kurrë, por ai dështoi më 13 korrik dhe në ditët para tubimit. Shërbimi Sekret ka mijëra punonjës dhe buxhet të konsiderueshëm, por tani është bërë imazhi i paaftësisë”, tha ligjvënësi republikan Comer.

Zonja Cheatle u tha ligjvënësve se ekipi i shërbimit sekret që mbronte zotin Trump ishte në dijeni të një personi të dyshimtë, para se ish-presidenti të fliste në tubim.

Nëse agjentët do të kishin marrë informacion për një kërcënim, ata nuk do të kishin lejuar kurrë që ish-presidenti të kishte mbajtur fjalimin”, tha zonja Cheatle.

Një analist i tha Zërit të Amerikës se paralajmërimet e hershme rreth autorit të sulmit, ngrenë pyetje serioze.

Dr. Scott White është drejtor i programit për sigurinë kibernetike në Universitetin George Washington

“Pa dyshim që bëhet fjalë për një dështim pasi nuk u neutralizua kërcënimi sapo u identifikua. Do të kishte qenë legjitime që ai të qëllohej. Në momentin që ai ishte në çati, hapja e zjarrit ndaj tij do të kishte qenë legjitime. Kështu që nuk e kuptoj se pse pati hezitim”, thotë Dr. White.

Ligjvënësit demokratë kërkuan ndryshime në ligjet për armëmbajtjen në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se është për të ardhur keq që ish-presidenti Trump është tani një nga viktimat e shumta të dhunës me armë.

Pothuajse humbëm një kandidat presidencial. Një 20-vjeçar pati qasje tek arma AR-15 e babait dhe arriti të ngjitej në një çati, 150 metra nga podiumi. Dhe unë pyes, a e bën fakti që një armë e tillë është lehtësisht në dispozicion, më të vështirë apo më të lehtë punën tuaj? Ju nuk jeni e gatshme t'i përgjigjeni kësaj pyetjeje”, tha ai.

Byroja Federale e Hetimeve ende nuk ka përcaktuar një motiv për veprimet e autorit të sulmit Thomas Matthew Crooks./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat