Biden tërhiqet nga gara në një tërmet presidencial

Amerika

Biden tërhiqet nga gara në një tërmet presidencial

Nga: M.H. Më: 21 korrik 2024 Në ora: 20:09 Përditësuar në ora: 21:48 më 21.07.2024
Joe Biden

Pas tërheqjes së Biden, reagon Trump – ka këto fjalë

Republikani Donald Trump ka reaguar ndaj vendimit të Joe Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale, duke postuar në platformën e tij Truth Social: Joe Biden nuk ishte i aftë të kandidojë për president dhe sigurisht që nuk është i aftë të shërbejë – dhe kurrë nuk ka qenë”.

Ai e arriti pozicionin e Presidentit vetëm me gënjeshtra, lajme të rreme dhe duke mos lënë kurrë bodrumin e tij”,ka shkruar Trump.

“Të gjithë ata që ishin rreth tij, përfshirë mjekun e tij dhe median, e dinin që ai nuk ishte i aftë të ishte President”, shkruan ai, ka raportuar BBC.

“Ne do të vuajmë shumë për shkak të presidencës së tij, por do ta riparojmë dëmin që ai ka shkaktuar shumë shpejt”, ka shkruar Trump.

Çifti Clinton mbështesin Kamala Harris për të qenë kandidate e demokratëve për presidente

Bill Clinton, ish-president i SHBA-së, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, e cila ka konkurruar ndaj Trumpit në vitin 2016, kanë mbështetur Kamala Harris.

Në një deklaratë të postuar në X, ata thonë se do të bëjnë “çdo gjë që mundin për ta mbështetur atë”.

Tani është koha për të mbështetur Kamala Harris dhe për të luftuar me gjithçka që kemi për ta zgjedhur atë,” shtojnë ata, ka raportuar BBC.

 

Presidenti Biden tërhiqet nga gara: Çfarë ndodh tani?

Vendimi i Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të paeksploruar.

Presidenti Biden shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate e Partisë Demokrate. Përpara se Presidenti Biden të merrte vendimin, Elaine Kamarck, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, anëtare e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe autore e një libri mbi procesin e emërimit presidencial, kishte shpjeguar për agjencinë Reuters se çfarë mund të ndodhë më pas.

ÇFARË NDODH TANI?

Presidenti Biden i ka kaluar muajt e fundit duke siguruar mbështetjen e afro 4000 delegatëve demokratë, pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë.

Ata delegatë do të votonin normalisht për të si kandidatin zyrtar presidencial të partisë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet më 19-22 gusht, por sipas rregullores ata tashmë nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë.

Delegatët mund të votojnë duke ndjekur ndërgjegjen e tyre, që do të thotë se mund t'ia japin votën dikujt tjetri. Me tërheqjen e tij, zoti Biden në mënyrë efektive po i lë të lirë delegatët e tij, ndoshta duke krijuar kushtet për një konkurrencë midis kandidatëve të tjerë demokratë për emërimin.

CILAT JANË ALTERNATIVAT PËR ZËVENDËSIMIN E PRESIDENTIT BIDEN SI KANDIDAT?

Disa zyrtarë demokratë mund të dëshirojnë të marrin pjesë në garë.

Nënpresidentja Kamala Harris është në krye të listës, por ajo ka patur problemet e saj pas një fillimi të vështirë në detyrë dhe një nivel jo të lartë mbështetjeje në anketime. Kushtetuta amerikane thotë se nënpresidentja mund të bëhet presidente, nëse presidenti vdes apo nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën, por nuk parashtron një proces brenda partive për përzgjedhjen e kandidatit zyrtar.

Ndër emrat e tjerë që janë përmendur si zëvendësues të mundshëm janë guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Illionit JB Pritzker. Deri më tani, ata kanë qenë mbështetës të presidentit Biden dhe kanë punuar për ta ndihmuar atë të rizgjidhej.

SI DO TË PËRZGJIDHET I EMËRUARI I RI?

Mund të ketë një proces të hapur për të gjithë mes zyrtarëve kryesorë demokratë që e dëshirojnë këtë rol.

Sipas Ballotpedia-s, pritet që për këtë vit të jenë rreth 4,672 delegatë, nga të cilët 3,933 janë delegatë dhe 739 të ashtuquajtur superdelegatë, që janë përgjithësisht zyrtarë të lartë të partisë.

Që të marrë emërimin, një kandidat duhet të fitojë shumicën, pra më shumë vota se të gjithë kandidatët e tjerë së bashku.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin një shumicë të tillë, atëherë do të ketë disa raunde votimesh për të arritur këtë lloj shumice dhe që të dilet me një kandidat zyrtar të partisë. Një konventë e tillë e hapur është mbajtur në vitin 1952 dhe demokratët nuk arritën të përzgjedhin një kandidat me votimin e parë.

ÇFARË DO TË NDODHË ME FONDET E FUSHATËS?

Fushata Biden-Harris pati mbledhur rreth 91 milionë dollarë kontribute deri në fund të majit, por ekspertët për legjislacionin e financimit të fushatave elektorale kanë mendime të ndryshme se si mund të zhvendosen këto fonde.

Për shkak se emri i zonjës Harris shfaqet në dokumentacionin e paraqitur për regjistrimin e fushatës, shumë ekspertë besojnë se fondet mund të transferohen drejt saj, nëse ajo fiton emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate. Por ka edhe debat nëse presidentit Biden do t’i duhej fillimisht të bëhej i emëruari zyrtar i partisë dhe në vazhdim të kryhej transferimi i fondeve.

Pas tërheqjes, Biden kërkon që ky personalitet ta zëvendësojë në garën për President

Presidenti Joe Biden ka vendosur të tërhiqet nga gara Presidenciale. Në njoftimin e tij ai ka thënë se ka ardhur koha të tërhiqet dhe të fokusohet vetëm në përmbushjen e detyrave të tij si President për pjesën e mbetur të mandatit.

Ndërkaq në një postim në rrjetin social Facebook, Biden tha se ofron mbështetjen dhe miratimin e tij të plotë që zv. Presidentja Kamala Harris të jetë e nominuara e partisë për këtë vit.

Ai ftoi bashkëpartiakët demokratë që ta “godasin” ish-presidentin Donald Trump.

“Kolegët e mi demokratë, kam vendosur të mos pranoj nominimin dhe të përqendroj të gjitha energjitë e mia në detyrat e mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim. Vendimi im i parë si i nominuari i partisë në vitin 2020 ishte të zgjidhja Kamala Harris si zëvendëspresidenten time. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe miratimin tim të plotë që Kamala të jetë nominuara e partisë sonë këtë vit. Demokratët - është koha të bashkohemi dhe të godasim Trump-in. Le ta bëjmë këtë”.

-----------

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokratë për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.

“Ishte nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si presidenti juaj. Dhe megjithëse ishte synimi im që të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që të tërhiqem dhe të përqendrohem në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit”, shkruan zoti Biden në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social X.

Mandati i Presidentit Biden përfundon më 20 janar 2025.

Pak minuta më pas ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin.

"Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë - është koha të mblidhemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë", u shpreh ai.

Deri të shtunën Presidenti Biden kishte këmbëngulur se do të vazhdonte fushatën, megjithëse ishte shtuar numri i ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kërkonin tërheqjen e tij.

Rreth 36 të zgjedhur demokratë kishin kërkuar që presidenti të largohej nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial me ish-presidentin Donald Trump.

Këtu është letra e plotë e përkthyer e Presidentit Biden:

Joseph R. Biden, Jr.

21 Korrik 2024

Të dashur Amerikanë,

Gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, kemi bërë përparime të mëdha si komb.

Sot, Amerika ka ekonominë më të fortë në botë. Kemi bërë investime historike në rindërtimin e Kombit tonë, në uljen e kostos së barnave me recetë për të moshuarit dhe në zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm për një numër rekord të amerikanëve. Kemi ofruar kujdes kritikisht të nevojshëm për një milion veteranë të ekspozuar ndaj substancave toksike. Kemi kaluar ligjin e parë për sigurinë e armëve në 30 vjet. Kemi emëruar gruan e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë. Dhe kemi kaluar legjislacionin më të rëndësishëm për klimën në historinë e botës. Amerika kurrë nuk ka qenë më mirë e pozicionuar për të udhëhequr se sa sot.

E di që asnjë nga këto nuk mund të ishte bërë pa ju, populli amerikan. Së bashku, kemi kaluar një pandemi një herë në një shekull dhe krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh. Kemi mbrojtur dhe ruajtur Demokracinë tonë. Dhe kemi rinovuar dhe forcuar aleancat tona në mbarë botën.

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si Presidenti juaj. Dhe ndërsa ka qenë qëllimi im për të rikandiduar, besoj se është në interesin më të mirë të partisë dhe vendit që të largohem dhe të përqendrohem tërësisht në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim.

Do t'i drejtohem kombit më vonë këtë javë për të dhënë më shumë detaje rreth vendimit tim.

Për tani, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar aq shumë për të më parë të rizgjedhur. Dua të falënderoj Zëvendës Presidenten Kamala Harris që ishte një partnere e jashtëzakonshme në gjithë këtë punë. Dhe më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për popullin amerikan për besimin që keni vendosur tek unë.

Besoj sot atë që gjithmonë kam besuar: se nuk ka asgjë që Amerika nuk mund të bëjë – kur e bëjmë së bashku. Thjesht duhet të kujtojmë që jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(Joe Biden)

Kujtojmë që gara me Trump ka qenë një garë mjaftë dinamike dhe e ngushtë.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat