Donald Trump mbajti të shtunën tubim në Miçigan, një nga shtetet që pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar fatin e zgjedhjeve të nëntorit, së bashku me kandidatin e tij të sapo emëruar për postin e nënpresidentit. Ky ishte tubimi i parë i fushatës që kur ai i mbijetoi një atentati.
"Ishte saktësisht një javë më parë, madje në këtë orë, madje edhe në këtë minutë", tha zoti Trump duke kujtuar të shtënat e 13 korrikut në Pensilvani që e lanë atë me një vesh të gjakosur, vranë një nga mbështetësit e tij dhe lanë pas vetes dy të tjerë të plagosur.
"Unë qëndroj para jush vetëm me hirin e Zotit të plotfuqishëm", tha ai, fasha e bardhë në veshin e të cilit tani e zëvendësuar nga një fashë ngjyrë lëkure. "Unë mund të mos isha këtu tani".
Ish presidenti Trump ishte bashkë me senatorin e Ohajos J.D. Vance, në paraqitjen e parë së bashku që kur ata u morën emërimin në Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki.
Miçigani është një nga shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Zoti Trump fitoi me një diferencë prej vetëm mbi 10 mijë votash në Miçigan në vitin 2016, por demokrati Joe Biden fitoi në këtë shtet në vitin 2020, me një diferencë prej 154,000 votash.
Vendimi i zotit Trump për të emëruar senatorin Vance u pa si një përpjekje për të rritur mbështetjen mes votuesve në shtetet si Miçigani, Pensilvania, Viskonsini dhe Ohajo, që e ndihmuan atë të siguronte fitoren në vitin 2016. Senatori Vance i veçoi këto shtete në fjalimin e tij në Kuvendin Republikan, duke e vënë theksin tek fëmijëria e tij e varfër në një qytet të vogël të Ohajos dhe duke u zotuar se nuk do t’i harrojë pjesëtarët e klasës punëtore, mes së cilëve është rritur, "vendet e punës të të cilëve u zhvendosën jashtë vendit dhe fëmijët e të cilëve u dërguan në luftëra".
Pasi u shfaq pazakonshëm i “përulur” dhe emocional gjatë Kuvendit Republikan, zoti Trump iu kthye mënyrës së tij të zakonshme të të bërit fushatë, duke fyer rivalët e tij demokratë, duke përsëritur të pavërtetat për zgjedhjet e vitit 2020 dhe duke e mbushur me shaka fjalimin e tij, që shkaktoi të qeshurat e një audience entuziaste.
Ai foli gjithashtu për të shtënat, duke treguar se si e kishte kthyer kokën për të parë një tabelë mbi kalimet e paligjshme në kufirin jugor të vendit të shfaqura në një ekran gjigant, duke shmangur kësisoj plumbin që goditi veshin e tij.
“Ia kam borxh jetën time emigracionit”, tha ai.
Trumpi distancohet nga Projekti 2025
Gjatë tubimit, zoti Trump iu kundërvu përpjekjeve për ta cilësuar atë si një kërcënim për demokracinë dhe një ekstremist, ndonëse është zotuar për dëbime masive dhe është kërcënuar me ndëshkimin e rivalëve të tij politikë.
Ai gjithashtu u përpoq përsëri të distancohej nga Projekti 2025 i Fondacionit Heritage, një plan politikash për një mandat të dytë të zotit Trump, që u hartua nga një mori ish zyrtarësh të administratës.
Zoti Trump e kritikoi projektin, i cili është shndërruar në një element qendror të fushatës së presidentit Biden, si "ashpërsisht të djathtë” dhe "seriozisht i skajshëm”, ashtu sikurse "e majta radikale".
"Unë nuk di asgjë për të", këmbënguli ai./VOA