Megjithë një javë aktivitetesh elektorale, intervistash dhe këmbënguljeje se ai është kandidati më i mirë për t’u përballur me republikanin Donald Trump, presidenti Joe Biden nuk ka arritur të zbusë përpjekjet për largimin e tij nga gara për zgjedhjet e nëntorit.
Presidenti Biden po peshon gjatë fundjavës alternativat që mund të përcaktojnë drejtimin e vendit dhe të partisë së tij, ndërsa Amerika shkon drejt zgjedhjeve me një Parti Republikane të mobilizuar pas Kuvendit Kombëtar që i dha emërimin zyrtar si kandidat ish-presidentit Trump.
Ligjvënësi Mark Takano, përfaqësuesi më i lartë demokrat në Komisionin e Çështjeve të Veteranëve të Dhomës së Përfaqësuesve, shtoi të shtunën emrin e tij në listën e 36 demokratëve në Kongres, të cilët thonë se është koha që presidenti Biden të largohet nga gara. Ligjvënësi nga Kalifornia i bëri thirrje presidentit Bidenit që t'ia kalojë stafetën nënpresidentes Kamala Harris.
Ndërkohë, Senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren, i tha kanalit televiziv MSNBC të shtunën se nënpresidentja është "e aftë të marrë përsipër" bashkimin e partisë dhe përballjen me ish-presidentin Trump, nëse presidenti Biden vendos të tërhiqet.
Ligjvënës të tjerë njoftohet të flasin haptazi në ditët në vijim. Donatorët kanë ngritur shqetësime. Ndërkohë një organizatë që po i bën thirrje presidentit Biden të "Kalojë Stafetën", planifikon një tubim të shtunën përpara Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden ka këmbëngulur se ai është plotësisht i angazhuar për të kandiduar.
"Nuk është ndjesi e mirë të pranosh se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë zyrtar në nëntor", tha ligjvënësi demokrat Morgan McGarvey nga Kentaki, një nga demokratët e zgjedhur që kërkojnë largimin e presidentit Biden nga gara. "Por ajo që përcaktojnë këto zgjedhje është tepër e rëndësishme dhe ne nuk mund të rrezikojmë që fokusi i fushatës të jetë diçka tjetër përveç Donald Trump-it".
Situata e tensionuar është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme për partinë dhe drejtuesit e saj, një muaj para Kuvendit Kombëtar Demokrat që duhet të ishte një moment unifikues për të emëruar presidentin e tyre aktual për t'u përballur me zotin Trump. Në vend të kësaj, partia gjendet në një udhëkryq të paparë prej disa brezash.
Këto zhvillime në kampin demokrat janë në kontrast të qartë me republikanët, të cilët, pas vitesh mosmarrëveshjesh të ashpra dhe kaotike të brendshme rreth zotit Trump, kanë përqafuar në thelb mbizotërimin e krahu më konservator të djathtë të ish-presidentit mes republikanëve, pavarësisht shpalljes së tij fajtor për pagesat e bëra në Nju Jork, dhe faktit se ai është në pritje të rezultatit të aktakuzës penale federale për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përpara sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol.