Autori i sulmit kishte në telefonin e tij fotografi të ish-Presidentit Trump, Presidentit Biden dhe zyrtarëve të tjerë

Amerika

Autori i sulmit kishte në telefonin e tij fotografi të ish-Presidentit Trump, Presidentit Biden dhe zyrtarëve të tjerë

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 22:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

20-vjeçari nga Pensilvania që bëri atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump kishte në telefonin e tij fotografi të zotit Trump, të Presidentit Joe Biden dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, përfshirë të Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe drejtorit të FBI-së, Chris Wray, sipas dy personave me dijeni për çështje.

Hetuesit që po analizojnë pajisjet elektronike të autorit të sulmit Thomas Matthew Crooks kanë zbuluar gjithashtu se ai kishte kërkuar për datat e Kuvendit Kombëtar Demokratike si edhe datat e fjalimeve të zotit Trump, sipas personave që folën me agjencinë Associated Press me kushtin që të mos identifikoheshin për të diskutuar detajet e një hetimi në vazhdim e sipër.

Sipas tre personave në dijeni me hetimin, ai gjithashtu kishte kërkuar në internet për "çrregullim të madh depresiv". Por hetuesit nuk kanë përcaktuar ende nëse ai ishte diagnostikuar me depresion, tha një nga burimet.

Studimet kanë treguar se shumica dërrmuese e njerëzve me sëmundje mendore nuk janë të dhunshëm dhe ekspertët thonë se shumica e njerëzve që janë të dhunshëm nuk kanë sëmundje mendore.

"Nuk kemi asnjë të dhënë për ndonjë problem të shëndetit mendor", tha në një konferencë telefonike shtypi të dielën, Kevin Rojek, agjenti special që drejton zyrën e FBI-së të Pitsburgut.

Hetuesit po përpiqen të gjejnë se çfarë e motivoi autorin e sulmit që të hapte zjarr në tubimin e fushatës të shtunën në përpjekje për të vrarë kandidatin presidencial republikan.

Ai vrau një pjesëmarrës në tubim dhe plagosi rëndë dy të tjerë. Zoti Trump u plagos lehtë në vesh, por nuk u lëndua rëndë dhe u shfaq vetëm disa ditë më vonë në Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki, duke e mbuluar me fasho plagën.

FBI ka thënë se po e heton sulmin si akt të mundshëm terrorizmi të brendshëm, por mungesa e një motivi të qartë ideologjik nga Crooks që u vra nga Shërbimi Sekret, ka krijuar terren përhapjen e teorive të konspiracionit.

Crooks përdori një pushkë të stilit AR, për të cilën autoritetet thanë se ishte blerë ligjërisht nga babai i tij. Autoritetet gjetën një jelek antiplumb në makinën e tij dhe një tjetër pajisje shpërthyese në shtëpinë e tij, ku gjatë muajve të fundit ai kishte marrë disa pako, përfshirë disa me materiale të rrezikshme.

FBI ka siguruar qasje në celularin e zotit Crooks, ka kontrolluar kompjuterin, shtëpinë dhe makinën e tij dhe ka intervistuar më shumë se 100 vetë deri më tani.

Sulmi ka ngritur pikëpyetje serioze se pse forcat e rendit nuk ishin në gjendje ta parandalonin sulmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat