J.D. Vance, ylli republikan në ngjitje, në qendër të vëmendjes në ditën e tretë të Kuvendit Republikan

Amerika

J.D. Vance, ylli republikan në ngjitje, në qendër të vëmendjes në ditën e tretë të Kuvendit Republikan

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 21:26
Trump dhe J.D. Vance

Kandidati republikan për nënpresident, J.D. Vance, i drejtohet të mërkurën Kuvendit Kombëtar Republikan në një fjalim që mund të nxjerrë në pah se si idetë populiste të zotit Trump, mund të dominojnë partinë në vitet në vazhdim.

Në karrierën e tij të shkurtër politike, 39 vjeçari Vance, është përpjekur t’i përdorë instinktet populiste të zotit Trump, për të krijuar një axhendë politike koherente, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara do të luanin një rol më pak të theksuar në çështjet globale.

Fjalimi i senatorit nga Ohajo, i zgjedhur në vitin 2022, ka të ngjarë të jetë momenti më i ndjekur i Kuvendit Republikan, përpara fjalimit të zotit Trump, të enjten në mbrëmje, pesë ditë pas plagosjes në një atentat ndaj tij në Pensilvani.

"Një atentat do të ndryshonte jetën e kujtdo", u tha gazetarëve të mërkurën Jason Miller, këshilltari i lartë i fushatës së zotit Trump.

"Presidenti Trump ndihet shumë mirë. Ai është inkurajuar nga mbështetja masive që ka marrë. Shihni se si e kanë pritur atë gjatë kuvendit, por jo vetëm atje. Janë miliona njerëz në mbarë vendin", shtoi ai.

Shqetësimet për një administratë të dytë Trump, shkaktuan rënie të aksioneve të mërkurën. Ata që u goditën më rëndë ishin prodhuesit e mikroprocesorëve pasi ish-presidenti Trump tha gjatë një interviste për ‘Bloomberg Businessweek” se Tajvani duhet të paguajë për mbrojtjen e tij.

I zgjedhur në senat rreth më pak se dy vite më parë, zoti Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Me një moshë sa gjysma e asaj të zotit Trump, zoti Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai ka argumentuar se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar klasën punëtore duke kufizuar importet, rritur pagën minimale dhe goditur fitimet e korporatave. Këto qëndrime bien ndesh me qëndrimin tradicional pro-biznesit të Partisë Republikane, por janë në një linjë me axhendën e zotit Trump.

Nikki Haley dhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis, ish-rivalët e zotit Trump gjatë zgjedhjeve paraprake për emërimin e kandidatit republikan për president, ofruan mbështetjen e plotë për zotin Trump në kuvendin e partisë.

"S’është e thënë se dikush duhet të pajtohet me Trumpin 100%, për ta votuar atë", tha zonja Haley, e cila ka shërbyer si ish-ambasadore e OKB-së dhe guvernatore e Karolinës së Jugut. Gjatë fushatës së saj presidenciale, ajo ishte shprehur se zoti Trump është i papërshtatshëm për detyrën e presidentit.

Shfaqja e harmonisë brenda partisë republikane është në kontrast me atë që po ndodh në kampin e demokratëve, të cilët kanë kaluar javë të tëra duke debatuar nëse zoti Biden, 81 vjeç, duhet të heqë dorë nga gara, pas një paraqitjeje të dobët në debatin e 27 qershorit përballë zoti Trump.

RETORIKA E ZEMËRUAR KUNDËR ZOTIT BIDEN

Shumë nga fjalimet e mbrëmjes së të martës në kuvendin që po mbahet në Miluoki, të përqendruara tek temat e lidhura me ligjin dhe rendit - ishin të mbushura me retorikën e zotit Trump kundër emigrantëve. Shumë prej atyre që morën fjalën denonconin me zemërim politikat e zotit Biden për kufirin jugor.

Ndërsa numri i kalimeve kufitare ka arritur shifra rekord gjatë mandatit të presidentit Biden, arrestimet ranë ndjeshëm në qershor pasi ai zbatoi një ndalim të gjerë të azilit.

Zoti Trump është zotuar të nisë përpjekjen më të madhe në histori të dëbimit të emigrantëve pa dokumente që ndodhen në SHBA.

Disa nga sulmet e nxehta ishin në kundërshtim me mesazhin për unitet kombëtar që zoti Trump kishte premtuar të jepte pas atentatit ndaj tij.

Pas sulmit me armë, frika e votuesve për një polarizim të ndjeshëm përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, duket se vetëm është thelluar.

Një sondazh i agjencisë ‘Reuters’ dhe organizatës ‘Ipsos’ i kryer të hënën dhe të martën gjeti se 80% e votuesve - republikanë dhe demokratë në mënyrë të barabartë - ranë dakord se "vendi po del jashtë kontrollit".

Autoritetet nuk kanë identifikuar ende motivet e atentatit kundër ish-presidentit.

Në fjalimin e tij të parë të fushatës që nga sulmi ndaj zoti Trump, zoti Biden u tha të martën votuesve afrikano-amerikanë në Las Vegas se ai do ta vazhdonte garën për t’u rizgjedhur, duke hedhur poshtë sërish thirrjet e disa demokratëve për t'u larguar.

Kuvendi katër-ditor i republikanëve do të kulmojë me fjalimin e ish-presidentit Trump mbrëmjen e së enjtes, kur ai zyrtarisht do të pranojë emërimin nga partia për t'u përballur me zotin Biden, në një përballje të dytë, sikurse në të vitin 2020.?VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat