Presidenti Biden flet para votuesve afrikano-amerikanë, e lidh sulmin ndaj rivalit të tij Trump me dhunën racore

Amerika

Presidenti Biden flet para votuesve afrikano-amerikanë, e lidh sulmin ndaj rivalit të tij Trump me dhunën racore

Më: 17 korrik 2024 Në ora: 16:28
Joe Biden

Të martën, Presidenti Joe Biden iu drejtua mbështetësve me ngjyrë në shtetin fushëbetejë të Nevadës, dita e parë e fushatës që nga atentati ndaj rivalit të tij republikan, ish Presidentit Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ai e lidhi sulmin ndaj zotit Trump me dhunën racore dhe me armë, duke u kërkuar amerikanëve që ta dënojnë dhunën e çdo lloj forme.

Përzgjedhja e fjalëve të duhura për të fituar zgjedhjet pas atentatit ndaj rivalit. Kjo është sfida me të cilën përballet Presidenti Joe Biden.

“Të gjithë kemi përgjegjësinë për të ulur temperaturën dhe për të dënuar dhunën e çdo forme”, tha Presidenti Biden.

Duke folur të martën përpara votuesve afrikano-amerikanë në Las Vegas të Nevadës, ai e lidhi atentatin ndaj zotit Trump me dhunën e ushtruar kundër afrikano-amerikanëve, përfshirë George Floyd, i cili u vra nga një polic i bardhë në vitin 2020.

Presidenti Biden bëri thirrje për të sjellë në fuqi një ligj për ndalimin e armëve sulmuese që skadoi në vitin 2004.

“Në sulmin kundër Donald Trump-it u përdor një armë sulmuese e modelit AR-15. Armë të tilla kanë vrarë shumë të tjerë, përshirë fëmijë. Është koha t’i bëjmë të paligjshme. E kam bërë një herë dhe do ta bëj përsëri”, tha Presidenti Biden.

Zoti Trump u plagos lehtë në vesh. Ish-Presidenti e kishte të fashuar veshin e djathtë kur mbërriti në kuvendin kombëtar të Partisë Republikane në Miluaki ku u prit me një entusiazëm të lartë.

Për Presidentin Biden, i cili u paraqit dobët në debat muajin e kaluar duke shkaktuar pikëpyetje mbi moshën dhe mprehtësinë e tij mendore, atentati ndaj rivalit politik e bën edhe më të ndërlikuar pozitën e tij, thotë për Zërin e Amerikës analisti politik William Howell me Universitetin e Çikagos.

“Nga njëra anë, ai duhet të zbusë shqetësimet mbi aftësitë e tij për të kryer detyrën. Ai duhet të krijojë një ndarje nga republikanët, që po përjetojnë një moment kulmor. Dhe ai duhet të bëjë thirrje për unitet dhe ta dënojë dhunën politike. Është jashtëzakonisht e vështirë për këdo që t’i bëjë këto tre gjëra njëkohësisht”.

Anketat tregojnë se Presidenti Biden renditet pas zotit Trump në nivel kombëtar dhe në disa shtete vendimtare, përfshirë Nevadën.

Me synimin për të fituar mbështetjen e votuesve me ngjyrë, Presidenti Biden vuri në pah dallimet mes politikave të tij të punësimit për afrikano-amerikanët dhe rivalit republikan.

Ai tha se nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, një afrikano-amerikane, është tregues i qëndrimeve të tij. Presidenti Biden bëri thirrje që amerikanët të mos e trajtojnë njëri-tjetrin si armiq.

Pas atentatit për ta varë, ish Presidenti Trump ka bërë gjithashtu thirrje për unitet. Por shumë mendojnë se kjo qasje e zotit Trump do të zgjasë përkohësisht ndërsa fushatat pritet të intensifikohen pas kuvendeve të partive./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat