Fqinji i atentatorit: Në oborr kishte pankarta në mbështetje të Trumpit

Amerika

Fqinji i atentatorit: Në oborr kishte pankarta në mbështetje të Trumpit

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 21:52
Thomas Matthew Crooks

Një fqinj i 20-vjeçarit që tentoi të vriste Donald Trumpin tha se në oborrin e shtëpisë së familjes të tij ishin shfaqur pankarta në mbështetje të Trump. Kujtojmë se të shtunën, Thomas Matthew Crooks qëlloi Trumpin nga çatia e ndërtesës teksa ish-presidenti po fliste në një tubim në Pensilvani.

Një plumb i ka prekur veshin dhe Trump ka pësuar lëndime të lehta. Një person mbeti i vrarë nga sulmi dhe dy u plagosën rëndë. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë motivin e sulmit. Autoritetet deklarojnë se ishte një akt potencial terrorist dhe se Crooks veproi i vetëm, shkruan Newsweek.

Ka disa paqartësi në lidhje me përkatësitë politike të Crooks. Ai dhuroi 15 dollarë për Projektin Progressive Turnout, komitet veprimi politik i lidhur me Partinë Demokratike të presidentit amerikan, Joe Biden. Të dhënat publike tregojnë se babai i tij është një republikan i regjistruar ndërsa nëna një demokrate.

Tetë muaj pas dhurimit, Crooks u regjistrua për të votuar si anëtar i Partisë Republikane, e cila drejtohet nga Trump që nga viti 2016. BBC raportoi se Crooks punonte në një shtëpi pleqsh në Bethel Park. Ai punonte në kuzhinë.

Në vitin 2022, ai u diplomua në shkollën e mesme Bethel Park, ku ishte në mesin e një grupi studentësh që morën një çmim prej 500 dollarësh të Iniciativës Kombëtare të Matematikës dhe Shkencës.

Një ish-shok klase i Crooks tha se ai nuk tregonte ndonjë interes të veçantë për politikën në shkollën e mesme dhe më së shumti fliste me të për kompjuterë dhe video-lojëra.

“Ai ishte super i zgjuar. Kjo ishte ajo që më goditi me të vërtetë, ai ishte një fëmijë me të vërtetë, shumë i zgjuar, brilant”, tha një ish-koleg për reuters. “Asgjë e çmendur nuk doli kurrë në asnjë bisedë me të”, shtoi ai.

Një tjetër i ri që e përshkroi veten si një ish-shok shkolle i Crooks foli me gazetarët. Ai, megjithatë, tha se Crooks “ishte ngacmuar pothuajse çdo ditë” në shkollë.

Fqinji i tij nga Bethel Park, një periferi e Pittsburgh, tha se disa muaj më parë, ata panë tabela me sloganin “Make America Great Again” në oborrin e Crooks. “Për një kohë, padyshim që kishte parulla në mbështetje të Trump”, tha Kelly Little për WTAE-TV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat