Pas paraqitjes së tij të dobët në debatin e parë me ish Presidentin Donald Trump, Presidenti Joe Biden është përpjekur të sigurojë Partinë Demokrate për shanset e tij për të fituar zgjedhjet, moshën dhe aftësinë e tij për të qeverisur.
Megjithatë, thirrjet publike nga zyrtarë demokratë dhe donatorë për ta zëvendësuar atë, kanë ngritur pyetje lidhur me alternativat e mundshme për realizimin e një gjëje të tillë.
Njëra prej tyre është përdorimi i nenit të 25-të të Kushtetutës amerikane, i cili parashikon rastet e zëvendësimit të presidentit në detyrë.
Neni i 25-të është miratuar në vitin 1967.
Më parë, i vetmi statut përkatës ishte neni i dytë i kushtetutës, sipas së cilit nënpresidenti do të merrte detyrat presidenciale në rast të vdekjes, dorëheqjes apo në rastet kur një president nuk është në gjendje të përmbushë funksionet e tij.
Por ky nen kishte kufizime të mëdha. Ai nuk thoshte asgjë për zëvendësimin e nënpresidentit, as nuk sqaronte se si do të përcaktohej nëse një president është i paaftë për të qeverisur.
Mungesa e qartësisë ka shkaktuar probleme gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara. James Garfield dhe Woodrow Wilson gjatë presidencave të tyre kishin periudha kur ishin kryesisht të paaftë për të qeverisur për shkak të mungesës së ligjeve për t’i dhënë detyrën nënpresidentit, ndërsa Presidenti në detyrë është ende gjallë.
Pas vrasjes së Presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, pati një urgjencë më të madhe për të sqaruar ligjet dhe rregullat për këtë çështje.
Çfarë parashikon neni i 25-të
I propozuar në vitin 1965 nga Senatori Birch Bayh dhe i ratifikuar dy vjet më pas, neni i 25-të përmban katër seksione.
Seksioni i parë përsërit nenin e dytë të kushtetutës, por shkon më tej për të sqaruar se si në rast të mungesës së presidentit, nënpresidenti mund të bëhet president i ri i vendit dhe mund të marrë plotësisht kompetencat në cilësinë e ushtruesit të detyrës. Kjo nuk ishte parashikuar më parë dhe shkaktoi paqartësi kur nënpresidenti John Tyler zëvendësoi Presidentin William Henry Harrison.
Seksioni i dytë plotësoi një hendek kritik duke krijuar një procedurë për zëvendësimin e nënpresidentit, që parashikon emërimin e tij nga Presidenti dhe miratimin e kandidaturës së tij nga dy dhomat e Kongresit.
Rëndësia e këtij seksioni u dëshmua në vitin 1973, kur nënpresidenti Spiro Agnew dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion. Në mungesë të një nënpresidenti dhe përballë hetimit për skandalin “Watergate”, Presidenti Richard Nixon, bazuar në ligjin e vitit 1947, do të mund të pasohej nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Carl Albert.
Në vend të kësaj, Presidenti Nixon shfrytëzoi nenin e 25-të për herë të parë në historinë e vendit për të emëruar Gerald Fordin në postin e nënpresidentit. Më pak se një vit më vonë, zoti Ford u bë president pas dorëheqjes së zotit Nixon.
Seksioni tretë i lejonte një presidenti të deklaronte paaftësinë për të qeverisur, duke njoftuar zyrtarisht udhëheqësit e Kongresit, dhe duke transferuar përkohësisht kompetencat dhe detyrat e tij në duart e nënpresidentit.
Një president gjithashtu mund ta përmbysë këtë vendim, duke njoftuar Kongresin se ai ka rifituar aftësinë për të ushtruar funksionet e tij.
Më parë, një marrëveshje e ngjashme ishte miratuar jozyrtarisht midis Presidentit Dwight D. Eisenhower dhe nënpresidentit Richard Nixon, në disa raste kur Eisenhower ishte shtruar në spital.
Që atëherë, seksioni i tretë është përdorur nga Ronald Reagan, George W. Bush dhe Joe Biden, në rastet kur ata u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.
Kongresi ka fjalën e fundit
Seksioni i katërt është pjesa më e ndërlikuar e nenit të 25-të, në të cilin përcaktohet se kush tjetër përveç vetë presidentit mund ta shpallë presidentin të paaftë për të kryer detyrat zyrtare.
Teksti ia jep këtë të drejtë nënpresidentit, së bashku me shumicën e anëtarëve të kabinetit presidencial, megjithëse lejon gjithashtu Kongresin të caktojë zyrtarë të tjerë.
Kongresi gjithashtu ka fjalën e fundit nëse presidenti e kundërshton deklaratën dhe këmbëngul se është i aftë për të qëndruar në detyrë, duke patur të drejtën që me dy të tretat e votave të përcaktojë nëse presidenti është me të vërtetë i paaftë për të qeverisur.
Ky seksion është i ngjashëm me procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e një presidenti në detyrë, duke lejuar heqjen e Presidentit nga detyra nga zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Por ndryshe nga procesi i shkarkimit, seksioni i katërt i nenit të 25-të të Kushtetutës amerikane lejon vetëm që një president të pezullohet dhe jo të shkarkohet nga detyra, ndërsa nënpresidenti bëhet president në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Dhe ndërsa procesi i ngritjes së akuzave për shkarkim zbatohet për shkelje të rënda apo abuzim kompetencash presidenciale, neni i 25-të ka të bëjë me aftësinë për të ushtruar këto kompetenca.
Përkufizimi i paaftësisë, një çështje e hapur
Megjithatë, kushtet që përcaktojnë paaftësinë për të kryer detyrën e Presidentit janë lënë me qëllim të hapura. Ndërsa interpretimi më i qartë është një emergjencë shëndetësore, ekspertët kushtetues parashtruar skenarë të tjerë si rrëmbimi, dëmtimi i përkohshëm apo paaftësia ekstreme.
Në fakt, ka pak kufizime formale për atë që mund të konsiderohet paaftësi presidenciale për sa kohë që nënpresidenti, shumica e anëtarëve të kabinetit dhe një supershumicë e Kongresit mund të bien dakord për këtë.
Megjithëse seksioni i katërt nuk është përdorur kurrë, mundësia për këtë u ngrit pas sulmit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e zotit Trump më 6 janar 2021.
Demokratët dhe disa republikanë i bënë thirrje nënpresidentit Mike Pence që të zbatonte nenin e 25-të, duke përmendur mungesën e gatishmërisë nga Presidenti Trump për të ndërhyrë ose për të përdorur kompetencat e tij presidenciale për të ndalur trazirat.
Ndërsa neni i 25-të nuk u zbatua në këtë rast, demokratët nisën procedurat e ngritjes së akuzave për shkarkim në javën e fundit të presidencës së zotit Trump.
Tani, nënpresidentja Kamala Harris po përballet me thirrjet për të përdorur nenin e 25-të për ta larguar Presidentin Biden nga detyra dhe ligjvënësi republikan Chip Roy ka paraqitur në Dhomën e Përfqësuesve një rezolutë për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Biden.
Por shumë prej thirrjeve kanë ardhur nga mbështetësit e Partisë Demokrate, të cilët argumentojnë se një veprim i tillë do të qetësonte votuesit, që janë të shqetësuar për moshën e zotit Biden dhe do t'i jepte nënpresidentes Harris më shumë legjitimitet për të hyrë në garën presidenciale si presidente në detyrë.
Megjithatë, Kushtetuta përcakton qëllimisht kushte shumë të forta për largimin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Për të parandaluar abuzimet partiake, hartuesit e nenit të 25-të vendosën që të vetmit njerëz që mund ta përdorin atë të jenë drejtuesit e administratës së presidentit, të cilët do të kishin më pak gjasa ta kundërshtonin atë.
Një nënpresident që planifikon të paraqesë në Kongres kërkesën për lirimin e Presidentit nga detyra mund të duhet të veprojë fshehurazi për të bindur anëtarë të mjaftueshëm të kabinetit për të nënshkruar propozimin, pasi presidenti mund të shkarkojë paraprakisht çdo anëtar të kabinetit që synon haptazi ta largojë atë nga detyra.
Për këtë arsye, hartuesit i dhanë Kongresit mundësinë e përcaktimit të një organi alternativ, si një panel mjekësor të pavarur apo një komision dypartiak që do të vendoste mbi çështjen e paaftësisë presidenciale së bashku me nënpresidentin.
Por deri më sot, ata nuk e kanë bërë këtë. Përdorimi i nenit të 25-të mbetet një hipotezë që nuk ka të ngjarë të ndodhë, megjithëse ekzistenca e tij mund të ketë ende ndikim në diskutimet e brendshme partiake./VOA