Pas gafës në samit, Biden e paraqet veten si mbrojtës të NATO-s dhe Ukrainës

Amerika

Pas gafës në samit, Biden e paraqet veten si mbrojtës të NATO-s dhe Ukrainës

Më: 12 korrik 2024 Në ora: 08:56
Reagimi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, e prezanton si "presidenti Putin". Uashington 11 korrik 2024.

Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media pas përmbylljes së samitit të NATO-s në Uashington më 11 korrik, bëri të ditur përpjekjet e tij për të ndërtuar partneritet për kundërshtimin e pushtimin rus të Ukrainës që nga viti 2022 dhe tha se ai do të vazhdojë ta mbajë “NATO-n të fortë”.

“Për ata që menduan se koha e NATO-s kishte kaluar, ata u përballën me një zgjim të ashpër kur [presidenti rus, Vladimir] Putin, pushtoi Ukrainën”, tha Biden.

Gjatë fjalimit hapës prej tetë minutash, që shpesh dukej si një fjalim fushate në kohën kur marrja e mandatit të dytë presidencial është vënë në pikëpyetje, Biden u mburr me veprimin e tij të hershëm për të paralajmëruar botën se Rusia po përgatitej të pushtonte fqinjin e saj dhe me ndërtimin e një koalicioni partnerësh për ta kundërshtuar këtë pushtim.

Biden tha se Putini mendoi se Ukraina do të bjerë “në më pak se një javë”, por shteti ende po reziston. Ai po ashtu tha se do të bëjë gjithçka “që lufta të përfundojë menjëherë”.

Paraqitja e tij para mediave është parë si moment kyç për presidentin amerikan, pas paraqitjes së tij të dobët gjatë debatit kundër Donald Trumpit, kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Paraqitja e Biden, 81 vjeç, gjatë debatit të 27 qershorit nxiti dyshime lidhur me aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin apo për të shërbyer edhe për një mandat presidencial, nëse do të fitonte. Po ashtu, janë rritur thirrjet në mesin e mbështetësve demokratë dhe zyrtarëve të zgjedhur që Biden t’i japë fund fushatës presidenciale, edhe pse figurat e larta të partisë kanë vazhduar mbështetjen e tyre për presidentin amerikan.

Para se të niste konferenca, që nga disa u cilësua shumë e rëndësishme, Biden veçse u përball me kritika pasi gabimisht iu referua presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si “presidenti Putin”.

Po ashtu, në konferencë ai bëri një gafë tjetër, pasi gabimisht iu referua Trumpit si “nënpresident” i tij.

Kur u pyet nga gazetarët nëse është i aftë që të shërbejë edhe për një mandat, Biden tha se do të vazhdojë fushatën e tij për president, duke theksuar se kontrollet neurologjike kanë treguar se ai është “në formë të mirë”. Presidenti amerikan insistoi se ai është “më i kualifikuari” për të qeverisur me SHBA-në.

Pas mbajtjes së samitit të NATO-s, në të cilin aleanca forcoi mbështetjen për përpjekjet e Ukrainës për t’u mbrojtur nga Rusia dhe iu referua Kinës si “mundësuese” e përpjekjeve të luftës të Moskës, Biden tha se në rast të negociatave në të ardhmen me presidentin Putin apo me presidentin kinez, Xi Jinping, “jam i gatshëm të merrem me ta tani dhe pas tre vjetësh”.

Megjithatë, ai shtoi se nuk është i gatshëm të bisedojë me Putinin, “nëse Putini nuk është i gatshëm të ndryshojë sjelljen e tij”.

“Ideja që ne do të jemi në gjendje që ta ndryshojmë rrënjësisht Rusinë në afat të shkurtër kohor ka pak gjasa të ndodhë”, tha Biden. “Por, një gjë është e sigurt, nëse ne e lejojmë Rusinë të fitojë në Ukrainë, ata nuk do të ndalen në Ukrainë”.

Megjithatë, Biden tha se SHBA-ja do të ndërmarrë një qasje të kujdesshme sa i përket lejimit të Ukrainës që të kryejë sulme thellë brenda territorit rus.

“Ne po vendosin në baza ditore se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë, sa larg duhet të shkojnë”, tha ai.

Këto deklarata Biden i bëri pasi presidenti ukrainas Zelensky, i bëri thirrje liderëve të NATO-s që të heqin të gjitha kufizimet ndaj Kievit, sa i përket përdorimit të armëve, të dhuruara nga NATO-ja, për të kryer sulme brenda territorit rus nëse ata duan që Ukraina të mposhtë forcat pushtuese të Rusisë.

“Nëse ai [Zelensky] do të kishte aftësi që ta sulmonte Moskën, Kremlinin, a do të kishte kjo kuptim? Nuk do të kishte”, tha Biden.

SHBA-ja në fillim të majit i tha Kievit dritën jeshile që të përdorë armët amerikane për të sulmuar territorin rus, në zonën kufitare, në mënyrë që t’i ndihmojë Ukrainës të zmbrapsë një ofensivë të madhe ruse pranë Harkivit.

Biden gjatë një takimi me Zelenskyn më herët gjatë 11 korrikut, njoftoi për ndihmë të re për Ukrainës.

SHBA-ja më pas njoftoi se do t’i dërgonte Ukrainës pajisje ushtarake në vlerë prej 225 milionë dollarësh, në paketën e tetë të ndihmës që nga miratimi i paketës prej 61 miliardë dollarësh në prill. Në paketën e re të ndihmës përfshihen bateri raketore për sistemin Patriot, sisteme kundërajrore, municione dhe raketa.

Gjatë konferencës për media pas përfundimit të samitit të NATO-s, Biden e paraqiti veten si mbrojtës të aleancës, teksa e portretizoi Trumpin si rrezik.

Presidenti amerikan akuzoi Donald Trumpin – i cili gjatë presidencës së tij nga viti 2017 deri më 2021 shpesh kishte kritikuar aleatët e NATO-s dhe kishte sugjeruar se mund ta largojë Uashingtonin nga aleanca – se nuk ka “përkushtim ndaj NATO-s”.

“Ai e ka bërë të qartë se nuk do të ndihej i obliguar që ta respektonte Nenin 5”, tha Biden për Trumpin, duke iu referuar paktit të NATO-s që kërkon përgjigjen e aleancës në rast se ndonjë shtet anëtar do të sulmohej.

Biden po ashtu pretendoi se gjatë samitit të NATO-s liderë të tjerë i kishin thënë atij se edhe një presidencë Trump do të ishte “katastrofë”.

“Nuk kam dëgjuar asnjë aleatë evropianë të më thotë ‘Joe, mos garo’”, tha Biden për gazetarët. “Ajo çfarë kam dëgjuar të më thonë është ‘Duhet të fitosh. S’mund ta lësh atë [Trumpin] të fitojë, ai do të ishte një katastrofë”.

Pas gafës së Bidenit, kur e prezantoi presidentin Zelensky si “presidenti Putin” – dhe menjëherë përmirësoi gabimin – disa liderë i dolën në mbrojtje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Biden ishte në krye të detyrës gjatë samitit dyditor, ndërkaq kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se gabime të tilla ndodhin./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat