Nëse ish presidenti Donald Trump i fiton zgjedhjet e nëntorit përballë Presidentit Joe Biden, ai mund të kërkojë që të vendosë të gjithë qeverinë federale nën kontrollin e drejtpërdrejtë presidencial. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, kjo manovër është detajuar në një udhëzues të hartuar nga më shumë se 100 organizata konservatore për një administratë të dytë të mundshme të republikanit Donald Trump.
Gjatë fushatës elektorale për Shtëpinë e Bardhë tetë vite më parë, republikani Donald Trump premtoi se do ta vinte burokracinë e Uashingtonit nën pushtetin e tij.
“Nëse zgjidhem president, ne do ta spastrojmë burokracinë e Uashingtonit”, tha zoti Trump në tetor të vitit 2016.
Vazhdimi i kësaj thirrjeje, që nënkupton spastrimin e qeverisë nga ata që zbatojnë politika, por që nuk japin llogari përpara presidentit, tani mbështetet nga një plan i hartuar nga më shumë se 100 organizata konservatore.
I njohur si ‘Projekti 2025’, i botuar nga Fondacioni Heritage i krahut të djathtë, ai jep udhëzime se si mund të vihen nën kontroll agjencitë qeveritare. Presidenti i Fondacionit Heritage, Kevin Roberts, përmendi edhe mundësinë e dhunës gjatë zbatimit të këtij procesi.
“Jemi në procesin e ‘Revolucionit të Dytë Amerikan’, që nuk do të përgjaket, nëse e lejon e majta”.
Pas këtij komenti, zoti Trump u përpoq të distancohej nga ‘Projekti 2025’. Ai tha se nuk dinte asgjë për të dhe autorët e tij, dhe se nuk ishte dakord me disa nga gjërat që thonë ata.
Gjatë një interviste në rrjetin C-SPAN, Paul Dans, kreu i projektit, nuk la asnjë dyshim se ishte frymëzuar nga fjalët dhe idetë e Trump-it.
“Ai ishte president për katër vjet, kështu që shumë nga idetë janë marrë nga puna e tij origjinale. Pra shumë prej tyre burojnë nga mandati i parë i zotit Trump”.
Zëri i Amerikës i kërkoi Fondacionit Heritage një intervistë. Organizata nuk vuri në dispozicion asnjë zyrtar por dërgoi një deklaratë përmes e-mailit ku theksonte se ‘Projekti 2025’ nuk flet për asnjë kandidat apo fushatë.
‘Projekti 2025’ kërkon të eliminojë sistemin e kontrolleve dhe ekuilibrat që autorët e Kushtetutës, si James Madison dhe Thomas Jefferson, garantuan përmes ndarjes së pushtetit midis degëve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të qeverisë, thotë Will Marshall, president i Institutit të Politikave Progresive.
“Për Madisonin dhe Jeffersonin do të ishte çmenduri të shihnin se sa shumë pushtet duan të përqendrojnë në duart e presidentit të ardhshëm. Nëse fiton Trump-i, do të ishte e frikshme për vendin, duke patur parasysh se si e ka keqpërdorur pushtetin në të kaluarën”.
Fushata e Presidentit Joe Biden e ka bërë ‘Projektin 2025’ një objektiv kryesor, duke krijuar një faqe interneti me kritika ndaj tij dhe theksuar reagimin e medias liberale.
“Kritikët e cilësojnë atë si qarkore fashiste. Kjo duhet të jetë një nga arsyet, në mos arsyeja kryesore, që të votoni këtë nëntor”, thotë drejtuesja e emisionit të lajmeve në rrjetin MSNBC, Melissa Murray, ndërsa u drejtohet dëgjuesve.
Plani gjithëpërfshirës kërkon gjithashtu shkurtimin e fondeve qeveritare për energjinë e rinovueshme dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mbylljen e Departamentit të Arsimit. Byroja Federale e Hetimeve do të reformohej nga lart poshtë. Të njëjtin fat do të kishte edhe Agjencia Amerikane për Median Globale, e cila mbikëqyr Zërin e Amerikës./VOA