Kamala Harris, kandidatja më e mundshme për të zëvendësuar Presidentin Biden nëse tërhiqet nga gara

Amerika

Kamala Harris, kandidatja më e mundshme për të zëvendësuar Presidentin Biden nëse tërhiqet nga gara

Më: 9 korrik 2024 Në ora: 22:59
Kamala Harris dhe Joe Biden

Presidenti Joe Biden këmbëngul se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë që të tërhiqet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Por në rast se do të ndryshonte mendje, nënpresidentja Kamala Harris duket se është e pozicionuar mirë për ta zëvendësuar atë.

Zonja Harris do të kishte avantazh krahasuar me emrat e tjerë të përmendur si alternativa të mundshme nga radhët e demokratëve, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsome dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer. Ajo është sprovuar tashmë si kandidaturë e suksesshme së bashku me Presidentin Biden, ka siguruar mbështetje prej vitesh në bazën demokrate dhe do të mund të trashëgonte menaxhimin e fondeve të mëdha nga kontributet e mbledhura nga fushata për rizgjedhjen e Presidentit Biden.

Kandidatja që do të mbështetej më natyrshëm nga Presidenti Biden

Presidenti Biden fitoi me lehtësi zgjedhjet paraprake për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate dhe rregullat e kësaj partie nuk lejojnë që delegatët e zgjedhur për të mbështetur kandidaturën e tij, t’i kalohen një kandidati tjetër gjatë kuvendit të Partisë Demokrate muajin e ardhshëm. Por tashmë një numër delegatësh kanë deklaruar se do ta mbështesnin kandidimin e zonjës Harris.

Nëse Presidenti Biden do të përzgjidhte zonjën Harris, kjo do kufizonte kaosin e mundshëm dhe do të shmangte përplasjet në sallën e kuvendit, që mund të shkaktonin dëm afatgjatë për cilindo që do të merrte emërimin si kandidaturë zyrtare e Partisë Demokrate për t’u përballur me ish-Presidentin republikan Donald Trump.

“Do të kishte më shumë kuptim që Harris ta vazhdonte trashëgiminë e Biden-it”, tha Andrew Feldman, ekspert demokrat që punon nga afër me degët e partisë nëpër shtetet amerikane. Ai theksoi se çështja është thjesht hipotetike, pasi presidenti Biden këmbëngul se nuk do të tërhiqet.

Zoti Feldman shtoi se axhenda e administratës së Presidentit Biden "ka qenë shumë popullore për sa i përket çështjeve që ata kanë mbrojtur" dhe se presidenti dhe nënpresidentja Harris "e kanë bërë këtë në partneritet".

Antjuan Seawright, një ekspert demokrat nga Karolina e Jugut, vuri në dukje se votuesit katër vite më parë caktuan 78-vjeçarin Biden në Zyrën Ovale, duke e ditur se zonja Harris do ta kishte radhën pas tij dhe se zoti Biden i shmangu rivalët gjatë zgjedhjeve paraprake këtë vit në moshën 81-vjeçare, ndërsa demokratët e dinin se zonja Harris do të vazhdonte e dyta për nga hierarkia.

“Demokratët kanë votuar për Joe Biden-in me Kamala Harris-in”, tha zoti Seawright.

Kundërshtitë ndaj kandidimit të zonjës Harris si një alternativë në vend të Presidentit Biden

Zonja Harris është gruaja e parë që shërbeu si nënpresidente, si dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore. Afrikano-amerikanët janë blloku më i madh dhe më besnik ndër mbështetësit e demokratëve.

Anashkalimi i një zëvendëseje historike në favor të kujtdo kandidature tjetër – qoftë edhe një alternativë popullore nga një shtet kyç – do të ishte tashmë e vështirë. Për shkak të imazhit të zonjës Harris si kryesuese e përpjekjeve për të thyer barrierat gjinore dhe racore, mund t’i lërë përgjithmonë sfidantit të saj imazhin e një personi jo besnik në zgjedhjet e ardhshme brenda Partisë Demokrate.

Glynda Carr, e cila drejton komitetin e veprimit politik “Higher Heights”, që mbështet kandidatet afrikano-amerikane në të gjithë vendin, tha se sugjerimet publike se zonja Harris mund të anashkalohej për një tjetër zyrtar të lartë demokrat, në mungesë të Presidentit Biden, tregojnë se "sa shumë shpesh anashkalohen gratë afrikano-amerikane".

"Ju dëshironi që gratë afrikano-amerikane të organizojnë shtëpitë tona, lagjet tona, kishat tona, familjet tona?" pyeti zonja Carr. "Atëherë ne duhet ta mbështesim udhëheqjen tonë".

Ligjvënësja demokrate Jasmine Crockett theksoi rëndësinë e asaj se çfarë do të thotë për gratë afrikano-amerikane që ta shohin zonjën Harris në detyra drejtuese në nivel kombëtar.

Demokratët me ambicie për poste në nivel kombëtar, mund të mos duan një fushatë të nxituar

Që nga paraqitja e dobët e Presidentit Biden në debat, demokratët kanë përmendur një varg emrash kryesorë alternativë që mund të kandidojnë në vend të presidentit. Përveç emrave të zonjës Whitmer dhe zotit Newsom, janë përmendur edhe guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe guvernatori i Illinoit, J. B. Pritzker. Të gjithë këta zyrtarë kanë thënë se do të vazhdojnë ta mbështesin Presidentin Biden.

Por në dhjetëra intervista, ekspertë demokratë, anketues dhe zyrtarë të zgjedhur raportojnë se nuk kanë hasur atë lloj niveli mbështetje politike për dikë tjetër në kuvendin demokrat, si për zonjën Harris, gjë që do të ishte e nevojshme nëse Presidenti Biden do të tërhiqej nga gara. Çdo diskutim i tillë ka ndodhur pa zhurmë dhe me siguri që do të shfaqej në publik nëse Presidenti Biden do të largohej nga gara.

Juristi Barry Goodman, i cili ka drejtuar operacionet për mbledhjen e fondeve për të dyja fushatat zgjedhore të zonjës Whitmer, tha se nuk kishte dijeni për ndonjë përpjekje të koordinuar nga ana e guvernatores për të siguruar mbështetje për kandidaturën e saj.

Zonja Harris do të ketë fonde që në fillim

Një tjetër faktor që do të ndihmonte në zbutjen e një kalimi nga zoti Biden tek zonja Harris, janë financat e fushatës. Nënpresidentja, duke qenë bashkë-kandidate zyrtare me Presidentin Biden, mund të ketë qasje në fondet prej 91 milionë dollarësh që janë mbledhur gjatë fushatës elektorale – fonde që arrijnë në 240 milionë dollarë nëse përfshihen edhe fondet e mbledhura nga organizatat aleate demokrate.

Nga ana e tij, ish-Presidenti Trump tashmë po përpiqet të mobilizojë donatorët me idenë se demokratët mund ta shkëmbejnë kandidaturën e Presidentit Biden me nënpresidenten Harris. Ish-presidenti dërgoi email-e për mbledhjen e fondeve të hënën me titullin “Largimi i Biden-it” dhe "Presidentja Kamala Harris?"

Eksperienca si juriste mund të ketë peshë më shumë se më parë

Në moshën 59-vjeçare, nënpresidentja është 22 vite më e re se Presidenti Biden. Me përvojën e ish-prokurores, ajo mund të bëjë një paraqitje të fortë në debate – siç u përball me zotin Biden gjatë zgjedhjeve paraprake brenda bllokut demokrat në vitin 2020, kur zonja Harris e kritikoi për kundërshtimin e tij të dikurshëm ndaj përdorimit të autobusëve të shkollave si një mjet kundër ndarjeve racore.

Përvoja e saj juridike gjithashtu mund të jetë më pranë idealeve të Partisë Demokrate të tanishme, e cila është zhvendosur kryesisht drejt qendrës për sa i përket drejtësisë penale dhe mesazheve për rendin dhe ligjin në vitet e fundit, pasi protestat mbarëkombëtare kundër padrejtësisë racore në vitin 2020 ndihmuan në mobilizimin për lëvizjen për shkurtimin e fondeve për policinë.

Presidenti Biden është përballur me një rënie të ndjeshme të mbështetjes nga radhët e afrikano-amerikanëve, një tendencë që zonja Harris do të shpresonte ta ndryshonte përpara nëntorit. Megjithatë, Presidenti Biden është përballur prej kohësh me nivele të ulëta të mbështetjes në përgjithësi në radhët e afrikano-amerikanëve dhe nënpresidentja gjithashtu nuk rezulton të gëzojë mbështetje më të mirë.

Rreth 39% e amerikanëve në moshë madhore kanë një opinion të favorshëm për nënpresidenten, çka është në përputhje me mbështetjen prej 40% për Presidentin Biden. Por një anketim i Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, AP-NORC, i kryer në qershor, gjeti se më pak persona kanë një pikëpamje të pafavorshme për zonjën Harris, 49% krahasuar me 57% për Presidentin Biden.

Zonja Harris gëzon një mbështetje prej 62% nga radhët e afrikano-amerikanëve, krahasuar me 37% nga amerikanët hispanikë dhe 35% nga amerikanët e bardhë. Të gjitha këto shifra janë të ngjashme me ato për Presidentin Biden, megjithëse mund të ketë më shumë mundësi që ajo ta ndryshojë opinionin. Gati 12% e amerikanëve thanë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth zonjës Harris për të dhënë një opinion, ndërsa pothuajse të gjithë të pyeturit kanë formuar një opinion për Presidentin Biden./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat