Nju Jork – Prokurori në gjyqin federal që po zhvillohet ndaj Senatori demokrat Bob Menendez nën akuzat për korrupsion tha se senatori kishte bërë veprime “tejet të pazakonshme” në këmbim të ryshfetit.
Ndihmës prokurori federal Paul Monteleoni i bëri këto akuza gjatë argumenteve përmbyllëse në gjyqin ndaj senatorit Menendez që po zhvillohet në Nju Jork.
Zoti Menendez i ka hedhur poshtë akuzat se ka marr ryshfet, përfshirë kallëp ari dhe qindra mijëra dollarë, gjatë periudhës 2018 - 2022 nga tre biznesmenë nga Nju Xhersi, të cilët kërkonin ndihmën e senatorit për bizneset e tyre.
Gjyqi ndaj tij hyri në javën e nëntë. Avokati i zotit Menendez pritet t’i fillojë argumentet e tij përmbyllëse gjatë ditës së martë.
Senatori Menendez po gjykohet krahas dy biznesmenëve, Wael Hana dhe Fred Daibes. Biznesmeni Hana, që sipas prokurorëve ka kërkuar ndihmën e zotit Menendez për ta ndihmuar që të fitojë dhe ruajë monopolin për të certifikuar mishin e eksportuar nga Shtetet e Bashkuara në Egjipt dhe zoti Daibes, një sipërmarrës i pasurive të patundshme me ndikim, kanë thënë se janë të pafajshëm. Një sipërmarrës i tretë pranoi fajin dhe dëshmoi në gjyq.
Gjatë seancës të së martës, prokurori Monteleoni përshkroi ato që ai i quajti përpjekje të zotit Menendez të ushtrojë ndikim ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Xhersit Gurbir Grewal në fillim të vitit 2019 për të mbyllur një çështje penale ndaj njërit prej biznesmenëve që pagoi ryshfet me pretendimin e rremë se hetuesit po diskriminonin shoferët hispanikë të kamionëve.
Zoti Grewal, që tani kryeson departamentin për zbatimin e ligjeve në Komisionin për Mbrojtjen e Tregjeve dhe Investitorëve, dëshmoi duke thënë se ai kishte kundërshtuar plotësisht përpjekjet e zotit Menendez për të ndërhyrë në hetimet penale.
Prokurori Monteleoni iu referua këtyre ballafaqimeve me zotin Grewal si shembull të gjërave që zoti Menendez ka bërë dhe që ishin “tejet të pazakonta.”
“Menendez është i mençur. Menendez është i kujdesshëm,” tha prokurori Monteleoni, duke thënë se senatori pretendoi diskriminim në industrinë e kamionëve dhe nuk kërkoi troç ndërprerjen e hetimeve, i vetëdijshëm se një kërkesë e tillë do të ishte e gabuar.
Ai tha se pretendimet për diskriminim i japin zotit Menendez mundësinë të mohojë akuzat nëse ndonjëherë do të përballej me to rreth përpjekjeve për të ushtruar trysni ndaj prokurorit të përgjithshëm të Nju Xhersit për të ndërprerë hetimet.
Në realitet, sipas prokurorit Monteleoni, zoti Menendez i bëri këto përpjekje për ndikim tek zoti Grewal në shkëmbim të një makine të re Mercedes-Benz që sipërmarrësit ia kishin premtuar se do t’ia dhuronin të dashurës së tij të atëhershme Nadine Arslanian, me të cilën ai u martua në vjeshtën e vitit 2020.
Ndaj zonjës Menendez, 57 vjeçare, po ashtu është ushtruar një aktpadi në këtë rast, por gjyqi ndaj saj është shtyrë ndërkohë që po trajtohet nga një ndërhyrje për kancer në gji.
Zoti Menendez i ka kundërshtuar thirrjet për të dhënë dorëheqje, por ai ka hequr dorë nga pozita si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë pas publikimit të akuzave vitin e kaluar.
Ai do të rikandidojë në zgjedhjet e këtij viti si kandidat i pavarur./VOA