Debati Biden-Trump pritet të nxjerrë në pah qasjet e tyre të ndryshme për Ukrainën

Amerika

Debati Biden-Trump pritet të nxjerrë në pah qasjet e tyre të ndryshme për Ukrainën

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 17:34
Trump, Biden

Kandidatët presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump do të përballen me njëri tjetri në një debat televiziv të enjten. Lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme dhe pritet të nxjerrë në pah pikëpamjet e ndryshme të kandidatëve për konfliktin.

Joe Biden dhe Donald Trump janë dakord mbi nevojën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndonëse ekspertë të politikës së jashtme thonë se zoti Trump ka qenë më pak specifik mbi mënyrën se si mund të realizohet kjo me angazhimin e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

"Ai mbështeti vetëm nevojën për të filluar negociatat dhe ka shprehur gatishmërinë të angazhohet në bisedimet mes Putinit dhe Zelenskit, por ai asnjëherë nuk ka folur për hartimij e një plani paqeje", thotë Sergiy Kudelia nga Universiteti Baylor.

Në debatin e këtij viti në Kongres mbi miratimin e ndihmës për Ukrainën, zoti Trump tha se ndihma duhet të jetë në formë huaje dhe jo falas.

“Ne po mendojmë ta bëjmë atë në formën e një kredie në vend të një ndihme. Ne vazhdojmë të shpërndajmë ndihma prej miliarda e miliarda dollarësh.”

Zoti Trump thotë se Evropa duhet të kontribuojë më shumë në ndihmat për Ukrainën. Por nëse rizgjidhet, zoti Trump nuk do të dëshironte të dukej se e ka humbur luftën, thotë ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, John Herbst.

"Ne e dimë se zoti Trump e percepton veten si një njeri të fortë dhe nuk dëshiron të lidhet me dështimet e politikës së jashtme. Një fitore ruse në Ukrainë, nëse zoti Trump është president, do të shihej si një dështim i politikës së jashtme", thotë ai.

Partia Republikane është e ndarë lidhur me Ukrainën. Disa udhëheqës të saj e shohin luftën si një kërcënim të madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë thonë se është një shpërqendrim me kosto të lartë.

“Për shumë republikanë me qasje tradicionale ndaj politikës së jashtme, Rusia shihet si një fuqi në rënie dhe për këtë arsye, lufta ruso-ukrainase, nga këndvështrimi i tyre, është një konflikt që duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të mos shterohen burimet amerikane të sigurisë", thotë Sergiy Kudelia nga Universiteti Baylor.

Presidenti Biden udhëheq koalicionin ndërkombëtar, që koordinon ndihmën ushtarake për Ukrainën, përfshirë ndihmën amerikane prej më shumë se 175 miliardë dollarësh. Ai thotë se Amerika do të mbështesë Ukrainën kundër agresionit të padrejtë dhe të paprovokuar të Moskës për aq kohë sa duhet.

"Tërheqja e Shteteve të Bashkuara do ta vinte në rrezik Ukrainën dhe Evropën. Bota e lirë do të ishte në rrezik, duke inkurajuar të tjerët të bëjnë atë që dëshirojnë për të na bërë dëm", thotë zoti Biden.

Presidenti Biden i ka hequr pjesërisht kufizimet ndaj Ukrainës mbi përdorimin e armëve amerikane për goditjen e objektivave ushtarake në Rusi. Kështu që një mandat i dytë i Presidentit Biden ka të ngjarë të jetë i ngjashëm me të parin, duke i dhënë atij liri më të madhe për të rritur trysninë ekonomike ndaj Rusisë, thotë profesori i Universitetit Katolik të Amerikës, Michael Kimmage.

“Ata nuk vendosin mbi politikën e jashtme bazuar në atë që mendojnë vetë, por kanë kufizime, të cilat do të jenë shumë më të ndryshme në një mandat të dytë për zotin Biden, pasi ai nuk do të ketë më nevojë të jetë i shqetësuar për t’u rizgjedhur, pasi nuk do të garojë më në 2028. Pra, ai do të ishte pak më i lirë", thotë ai.

Dallimet e kandidatëve për Ukrainën pasqyrojnë qasjet e tyre të ndryshme ndaj Rusisë, me zotin Trump që kërkon të përmirësojë lidhjet me Moskën dhe zotin Biden që vazhdon të izolojë Rusinë për agresionin e saj në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat