Ish këshilltari i zotit Trump, Steve Bannon kërkon shtyrjen e fillimit të dënimit me burg

Amerika

Ish këshilltari i zotit Trump, Steve Bannon kërkon shtyrjen e fillimit të dënimit me burg

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 21:27
Ish këshilltari i zotit Trump, Steve Bannon kërkon shtyrjen e fillimit të dënimit me burg

Steve Bannon, një aleat i hershëm i ish-presidentit Donald Trump, i kërkoi Gjykatës së Lartë të premten që të shtyjë fillimin e zbatimit të dënimit të tij me burg ndërsa ai po e sfidon vendimin për shpalljen e tij fajtor, për shpërfillje të një kërkesë për t’u paraqitur me detyrim përpara Komisionit te Dhomës së Përfaqësuesve, që hetoi sulmin ndaj Kapitolit, në janar të vitit 2021.

Kërkesa urgjente erdhi pasi një panel i gjykatës federale të apelit hodhi poshtë përpjekjen e zotit Bannon për të shmangur paraqitjen në burg më 1 korrik, për të vuajtur dënimin e tij katër mujor. Ai iu drejtua kryetarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts, i cili mbikëqyr ankesat urgjente nga gjykatat në Uashington.

Gjykata e Lartë i kërkoi Departamentit të Drejtësisë t'i përgjigjet kërkesës deri të mërkurën, disa ditë përpara se gjykata të fillojë pushimet verore. Gjykata mohoi një kërkesë të ngjashme nga një ish ndihmës tjetër i zotit Trump, menjëherë pasi mori një përgjigje në mars.

Zoti Bannon u dënua gati dy vjet më parë për dy akuza për shpërfillje të Kongresit, pasi refuzoi thirrjen e Komisionit të Dhomës së Përfaqësueseve për hetimin e ngjarjeve të 6 janarit 2021 për të dëshmuar dhe ofruar dokumente në lidhje me përfshirjen e tij në përpjekjet e ish Presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

Zoti Bannon e ka cilësuar çështjen si të motivuar politikisht dhe avokati i tij David Schoen ka thënë se çështja ngre "peytje serioze kushtetuese" që duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.

Nëse Bannon shkon në burg muajin e ardhshëm, ai ka të ngjarë të vuajë dënimin e tij të plotë përpara se Gjykata e Lartë të ketë mundësinë të marrë për shqyrtim çështjen e tij pas kthimit nga pushimet verore që fillojnë në fund të qershorit, thuhet në kërkesën me shkrim të avokatit Trent McCotter.

Avokati i tij thotë se ish-këshilltari nuk e injoroi thirrjen, por ishte ende duke negociuar me Komisionin e Kongresit në kohën kur u ngritën akuzat ndaj tij. Avokati i tij i mëparshëm ka thënë se kërkesa për paraqitje të detyrueshme në Kongres ishte e pavlefshme sepse ish-presidenti republikan kishte thënë se bisedat e tij me zotin Bannon ishin të mbrojtura nga privilegji ekzekutiv dhe Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e ngjarjeve të 6 janarit nuk kishte lejuar praninë e një avokati të zotit Trump gjatë dëshmisë.

Në dokumentet e dorëzuar në Gjykatën e Lartë, avokatët e zotit Bannon gjithashtu argumentuan më parë se ekziston një "interes i fortë publik" për ta lejuar atë të mbetet i lirë në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, sepse zoti Bannon është një këshilltar i lartë i fushatës së zotit Trump.

Afati i paraqitjes së zotit Bannon në burg është shtyrë pasi ai e apeloi çështjen. Gjykatësi federal Carl Nichols e urdhëroi atë të raportonte në burg pasi një panel i gjykatës së apelit mbështeti dënimin për mospërfillje të Kongresit.

Një ndihmës tjetër i zotit Trump, ish këshilltari i tij për çështjet tregtare Peter Navarro, u dënua gjithashtu për mosrespektim të kërkesës së detyrueshme për të dëshmuar në Kongres. Ai u paraqit në burg në mars për të vuajtur dënimin e tij katër mujor pasi Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e tij për të shtyrë fillimin e dënimit me burg.

Gjykatat e kanë refuzuar argumentin e tij për mbrojtje nga privilegji ekzekutiv, duke thënë se zoti Navarro nuk ishte në gjendje të vërtetonte se bisedat e tij me Presidentin Trump ishin, në fakt, të mbrojtura nga privilegji ekzekutiv.

Steve Bannon po përballet gjithashtu me akuza penale në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut lidhur me pretendimet se ai ka mashtruar donatorët, që thuhet se i kanë dhënë para për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Zoti Bannon është deklaruar i pafajshëm për akuzat për pastrim parash, komplot, mashtrim dhe akuza të tjera, dhe se gjyqi i tij është shtyrë të paktën deri në fund të shtatorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat