Biden lehtëson rrugën për shtetësi për gati 500.000 bashkëshortë të amerikanëve

Amerika

Biden lehtëson rrugën për shtetësi për gati 500.000 bashkëshortë të amerikanëve

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 22:34
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka prezantuar të martën një prej përpjekjeve më të mëdha për t’ua lehtësuar rrugën drejt shtetësisë qindra mijëra migrantëve në Shtetet e Bahskuara, që janë të martuar me shtetas amerikanë.

Ky vendim është në kundërshtim të plotë me planet e rivalit republikan, Donald Trump, për dëbime masive.

“Ne mund ta rregullojmë këtë. Edhe këtë po e bëj sot”, ka thënë Biden prej Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar përpjekjeve për të legalizuar qëndrimin e kësaj kategorie të migrantëve.

“Hapat që do të marr sot mbështeten në masë prej popullit amerikan”.

Programi do të vlejë për gati 500.000 bashkëshortë që kanë jetuar në SHBA për të paktën 10 vjet, nisur prej 17 qershorit, është thënë në deklaratat e lëshuara prej Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan për Siguri Kombëtare.

Programi do të përfshijë edhe rreth 50.000 fëmijë nën moshën 21-vjeçare, që kanë një prind amerikan.

Biden, demokrat që synon një mandat të dytë si president, i ka fituar zgjedhjet edhe me premtimin për të përmbysur shumë politika kufizuese për migrantët, të fuqizuara prej paraardhësit së tij, Trumpit, i cili, po ashtu, synon edhe një mandat në Shtëpi të Bardhë.

Mirëpo, i përballur me arrestime masive të migrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, Biden e ka ashpërsuar tonin ndaj migrantëve në muajt e fundit.

Më herët gjatë këtij muaji, Biden ua ka ndaluar migrantëve që kalojnë paligjshëm kufirin SHBA-Meksikë që të kërkojnë azil – politikë e ngjashme me atë të Trumpit, dhe e cila është kritikuar prej disa demokratëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e migrantëve.

Megjithatë programi për legalizim të bashkëshortëve të shtetasve amerikanë mund të forcojë mesazhin e tij se mbështet një sistem më njerëzor të migrimit dhe që dallon prej Trumpit.

Në SHBA veçse ekziston një mënyrë që migrantët e martuar me amerikanë të sigurojnë leje të qëndrimit.

Mirëpo në shumicën e rasteve, ata që kanë hyrë ilegalisht në SHBA, fillimisht duhet të kthehen mbrapsht në vendlindjet e tyre për disa vjet, para se t’iu mundësohet kthimi në mënyrë të ligjshme.

Program i ri do t’iu mundësojë tani atyre që të aplikojnë për leje të qëndrimit pa u larguar prej SHBA-së dhe nëse sigurojnë lejen për qëndrim, ata kanë mundësi të aplikojnë edhe për shtetësi.

Personat që konsiderohet se përbëjnë kërcënim për sigurinë publike apo kanë histori të problemeve, nuk do të mund të aplikojnë.

Zbatimi i programit do të nisë në muajt e fundit dhe besohet se meksikanët do të përfitojnë më së shumti prej tij./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat